Në Bibliotekën Ndërajonale “Fan S. Noli” në Gjilan është promovuar libri “Amaneti i brezave mbi supet e Hysen Zhujës” i autorit Ibrahim Hyseni, i cili ka ngjallë interesimin e madh të dashamirëve të librit.
I pranishëm në këtë ngjarje ka qenë edhe kryetari i Gjilanit Alban Hyseni, i cili ka thënë se autori i këtij libri nxjerrë në dritë një periudhë të lavdishme dhe ka shtuar se për të kjo është një ndjesi e përzier, pasi është një nga paraardhësit të tij, duke thënë për të se ishte njeri i besës e i pushkës, i cili na mësoi se si mbrohet pragu i shtëpisë dhe nderi i kombit.
“Hysen Zhuja ishte shembull i njeriut të drejtë e shtylla e familjes, kurse e vërteta është e patjetërsueshme”, ka thënë kryetari Alban Hyseni.
Sabit Rrustemi, poet e botues, botimin e këtij libri e ka cilësuar moment solemn, që po promovohet në kuadër të “Shpalimeve pranë vere”. Ai këtë libër e ka cilësuar roman me premise dokumentare, historike e letrare. Ky libër është befasi për Gjilanin e Anamoravën, libër me vlera e historia e jonë ka nevojë të ndriçohet.
Kaltrina Berisha, redaktore, për këtë libër tha se është i mirëmenduar, material i strukturuar mirë dhe është më shumë se sa një rrëfim biografik. Nexhat Rexha, recensent, tha se me këtë libër u shkund pluhuri i historisë dhe është me shtrirje të gjera në rrafshin tematik, derisa recensenti tjetër, Zejnullah Zejnullahu, foli për Ibrahim Zhujën, shkëputi disa nga ngjarjet që është ndër personazhet kryesorë.
Vetë autori Ibrahim Hyseni, pasi ka falënderuar të gjithë, ka thënë se ky libër dhe këto kujtime kanë jetuar brenda tij e ato ua ka dhuruar lexueseve, andaj ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur.
Gjatë promovimit të këtij libri pjesë nga libri deklamuan Romana Hyseni, Arbër Isufi dhe Mbresa Hyseni – Surdulli. /kryelajmi.com/.





