Libri

DUKE MIRËPRITUR VJESHTËN

Agim GJAKOVA
DUKE MIRËPRITUR VJESHTËN
( Nga libri më i ri me poezi i këtij shkrimtari 91 vjeçar, i cili sot, më 8 maj 2026 përurohet në hotelin SIRIUS të Prishtinës)
Duke mirëpritur vjeshtën
më duhet t’u nënshtrohem dëshirave të përbindëshit
më gërryhen trup e mendje
e përpiqem të kapërcej ferrave
të intelekti miturak
uria sogjeton shëmtuar
kur frymorët duan të marrin frymë
në rrëzomën e mendimeve të rraskapitura
*
Në rrëzomën e mendimeve të rraskapitura
Ca kalërojnë
Ca kapërcejnë
Ca hidhen përpjetë
Kosovën e tërheqin zvarrë
kah shtigje të humbura…
Pse flini o të uruar qytetarë
mbi hasrën e thurur me purteka të poshtërsisë
shpirtrat e trazuar në këtë dhe të amshuar
lënë gjurmë me hapat e tyre kah tejqielli
me dhimbjen dhëmbëzore në buzë,
të lagur në faqe
të pikuar nga mjekra duke u dridhur
mundohen të mbledhin fijet
e shkapërderdhura dhunshëm.
E ngjyros hapësirën e vendit tim
me vjollca limontie të mëngjesit
me këngën e zogjve nëpër gjethe pëshpëritëse
tek i ngrefosur shfrimesh
i bie rrethepërqark Kosovës.
*
I bie rrethepërqark Kosovës
njerëzit e vërtetë nuk janë poetë me letër
kthej kryet
Atdheu im ferr i engjëjve
parajsë e djajve
rrëshqanohet rrotullimit të botës
duke shqyer shekujt e mbijetesës
në univers përtyp gjak
dhe kujtohet kur puthte flamurin
nën hijen e dreqit.
*
Nën hijen e dreqit
po gëlojnë hallakamaxhinjtë
ndërgjegje për t’u zgërdhirë
ndërgjegje për të bërë shaka
ndërgjegje për të…
Kur hutini më del nëpër diell
atëherë mburrem për dritën e syve
dhe e prek butë kontinentin
me gishta të mërdhirë nga politika
qenka e hidhur të jesh njeri!
*
Qenka e hidhur të jesh njeri
se e hidhët është buka
i hidhët është uji
i hidhët është ajri
i hidhët është qielli
i hidhët është dheu…
Athua deri në të errur të jetës
të gjithën duhet ta mbaj brenda vetes
të mos u pikojë të dashurve!?
Po qesh me thënien
“kapërcej ylberin”
*
Kapërcej ylberin
diçka duhet të jetë e pavdekshme
që ngacmon vuajtjen
të mbizotërojë në pafundësi
mbase mortja vë një shenjë
në ballin tim
të mos më dridhet arsyeja nga mrekullia e asgjësë
kur mendjangulur niset për në qiellin e shtatë.
*
Kur mendjangulur niset për në qiellin e shtatë
deri atje duhet të kaloj shtatë dete
edhe pse qielli është bërë tokë e lëvruar
gjithçka rrjedh
kur pafundësia ta shfaqë dëshirën
ta gozhduar filozofinë e mallkimit
të mos më përfshijë hutia
e të më ngacmojnë mendimet
*
E të më ngacmojnë mendimet
më thonë ta marr çdo gjë të gatshme
ma parashënojnë një rrudhëz
dhe ma mbushin gjoksin me një bërtimë
falë u qofsha kujtimeve të fëmijërisë
që ma kanë ruajtur zemrën
si një dhuratë të kohës
kur “për çdo udhëtim mundohem të lë mbrapa
mendimet e mia të mundimshme…”
*
Për çdo udhëtim mundohem të lë mbrapa
mendimet e mia të mundimshme…
për ku je nisë o mendja ime e pafre
t’i shfaqesh e çiltër botës së ngatërruar
kanë me luejtë hidhtas
me përtallje e përçmim
tek njerëzimi rrokulliset pambarim
e ti ke me u tkurrë dhimbshëm
fytyrat kanë me të këqyrë
zgërdhimshëm
*
Fytyrat kanë me të këqyrë
zgërdhimshëm
kam parë allazotër, allaprofetë…
vetë amshimin
e s’kam takuar asnjë përrallor
asnjë prijatar
kah dhe si po udhëton dheu im
në këtë stinë të jetës
u ndala dhe u bëra pasqyrë
të shikoheshin të gjithë të marrët
e të gëzohemi se na quajnë njerëz.
*
E të gëzohemi se na quajnë njerëz
mirënjohësja botë ma prish fytyrën
me xixëllima
kush ma jep një shije të hollë
t’i njoh skutat e ndërgjegjes
se nuk di çka mund të përjetoj
si përcaktim fati
në oqean të pabarazisë
me urrejtjen skërmitëse
shkallmohu o vetëdije
po deshe të arrish bregun e të njerëzishmes së shtirur
*
Po deshe të arrish bregun e të njerëzishmes së shtirur
lëri ligjërimet të nisen të ngarendin
të dalin përmbi retë e arsyes
paragjykimi vjen vërdallë dhe
ngrohet në injorancë
përulu para shtojzovalles në tempull
me cinizëm ndjenjësor
dhe hape panairin e intrigave
rrotulloji sytë drejt atij të parit që ngre gishtin
deri sa të vish në zgrip të ndërgjegjes
kur fillojnë të luajnë hijet e djallit
*
Kur fillojnë të luajnë hijet e djallit
rropatem ta sheshoj të paskajuarën
nuk mund të jem memoria e .askujt
as ta kem me dhunë në kujtesë askënd
arnoj rrezikun që t’i harroj humbjet
edhe pse gjithçka po vjen vërdallë
në kahen e padukshme
kush u ndodh afër rrëmujës
përfitoi nga të gjitha të ligat e botës
kush iku nga mjerimi i vetvetes
kujtimin e dhimbshëm e skaliti
*
Kujtimin e dhimbshëm e skaliti
u rrek të tregonte ato që nuk ishin thënë në botë
në heshtjen e thellë piskati
më thoni kush jam sot
që të di se cili do të jem nesër
se temperatura po ngrihet në ferr
e në botë ka filluar të bëjë ftohtë
atëherë era filloi të qeshte
mali të fishkëllente
lumi të qante…
asgjë nuk ra e krejt u shemb
të gjithë e deshën heshtjen

You Might Also Like