26 janar 2019 – Në natën e tretë të Festivalit “Talia e Flakës”, që po mbahet në Gjilan, në kuadër të Manifestimit Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, erdhi në skenë drama shqipe “Kreolët e Ballkanit”, me autor dhe regjisor Enver Petrovcin, e ku luajtën aktorët: Agron Shala, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Kriks Dumo, dhe Vanesa Petrovci.
“Kreolët e Ballkanit” solli para publikut, dramë, aksion, histori dashurie, urrejtje, tradhti, kauzë, shpresë, intrigë, vrasje ndërgjegjeje… në më tepër se një orë e dyzetë minuta, por që publiku gjilanas dukej se e ndjeu shfaqjen shpirtërisht, pasi në heshtje dhe koncentrim maksimal përcillte çdo lojë\lëvizje të aktorit/es, e çdo fjalë të thënë, për ta kapur edhe thelbin e shfaqjes.
“Kreolët e Ballkanit”, një dramë kjo e vendosur në Kosovën e paraluftës, vë në pah fëmijët nga martesat e përziera, problemet shqiptaro-serbe, marrëdhëniet njerëzore si në dashuri, si në urrejtje.
Shfaqja për personazh kryesor ka Hekuranin, një i ri që ka nënën serbe e babanë shqiptar, e që është në duart e policisë. Ai merret në pyetje nga një inspektor, po ashtu i lindur nga një familja e përzier, me baba serb.
Dallime etnie mund të konsideroheshin të pakuptimta për Hekuranin derisa i përjetoi në lëkurën e tij. Ai, duke u parë i papranueshëm, në mesin e serbëve, ishte në kërkim të kauzës së tij, do të thosha, e tjetri, inspektori, në shpalosjen e zellit, për t’i shërbyer sa më mirë pushtetit.
Ngjarja në vazhdim zhvendoset në një bodrum, vendqëndrim i aktivitetit ilegal, ku Hekurani pasi lirohet prej inspektorit, ndodhet bashkë me shokun e tij Besimin. duke pritur takimin me udhëheqësin e tyre (shefin). Por aty shfaqet edhe një vajzë me emrin Maria, tejet fëmijërore e ku nga naiviteti i të cilës dalin në shesh shumë zhvillime të kohës. Duke treguar se ajo vjen aty pasi është vendlojë për të, vihen në pah po ashtu edhe abuzimet që ia kanë bërë inspektorët serb, por edhe si ndodh “të ushqyerit” me urrejtje për shqiptarët, nga ana e familjeve serbe.
Ajo gjen prehje te Hekurani, por i cili tani vihet në dyshim si ‘spiun”, pas ardhjen në podrum të Muhamedit, i deklaruar si një zëvendës i shefit të grupit, i cili thotë se edhe shefi ka dyshime për Hekuranin dhe interesohet se çfarë ka zbuluar ai sa ka qenë “brenda”. Ky dyshim pikërisht bazohet në atë se rrjedhë nga një familje e përzier, ku nëna e tij është serbe. Hekurani, edhe pse akuzohet nga shokët e tij shqiptarë se është spiun, ai nuk pranon assesi, duke duruar sërish maltretime e rrahje.
Besimi, një djalë i mençur e idealist, por edhe naiv, zbaton urdhrat e Muhamedit dhe Hekurani sërish lidhet, për t’u torturuar, por në atë ato çaste ndodh ndërhyrja e policisë, ku Besimi vritet, e Muhamedi ikë, ndërkohë që shfaqet sërish inspektori që kishte marrë në pyetje Hekuranin. Duke shfrytëzuar situatën e krijuar, ai sërish kërkon që Hekurani ta zbulojë vendndodhjen e shefit, në këmbim të lirisë,parasë… Nuk mungon as maltretimi që i bëhet Maria-s, duke e ditur ndjenjat e Hekuranit, për të. Dikur Hekurani dorëzohet…
Në aktin tjetër, pas udhëtimeve të shumta, Hekurani, i cili tani i “shijon” të mirat e pushtetit, i kthehet Maria-s, e ku fëmijërorja e saj sërish nxjerr në pah të dhëna tjera, duke lënë të kuptohet se ishte pikërisht, Muhamedi inspektor, loja e perfide e të cilit bëri që të binte grupi. Nga ndërgjegjja e vrarë, Hekurani i jep fund jetës së tij, derisa në skenë paraqitet inspektor Muhamedi, për të aluduar se e kishte pritur një fund të tillë për Hekuranin, për t’u larguar, më pas, bashkë me Maria-n, nga aty ku u la një trup i pajetë…
Vlen të përmendet se skenografia e kësaj shfaqjeje ishte e Beqo Nanaj, Kostumografe: Sofi Kara dhe asistent/regjisor, Enkeleda Fishekaj.
Ndryshe, në natën e parafundit, sonte më 26 janar do të jepet shfaqja e titulluar “Hipokritët ose pacienti anglez”, me autor Jeton Neziraj e me regji të Blerta Neziraj dhe Agon Myftari, e që do të vihet në skenë nga Qendra Multimedia.