Gjilan

Hidromorava: Niveli i ujit në Pendën e Përlepnicës po bie

Temperaturat që kanë kapluar vendin tonë tash e sa ditë ka ndikuar dukshëm në rënien e nivelit të ujit në ujëmbledhësin kryesor për qytetin e Gjilanit me rrethinë. Kompania Rajonale e Ujësjellësit, Hidromorava janë deklaruar se niveli në pendën kryesore të furnizimit atë të Përlepnicës ka rënë dukshëm. Kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie Muhamed Suliqi, sot për Express ka thënë se do ta shpallin gjendjen emergjente.

 

Penda e Perlepnicës apo siç njihet ndryshe edhe Liqeni i Përlepnicës është në nivel rekord të mungesës së ujit. KRU “Hidromorava” ka bërë të ditur se burimi kryesor Penda në Përlepnicë niveli i ujit është 16,70 m nga niveli 30,30 m, pra 13,60 m më poshtë nga kuota maksimale.

Kompania po ashtu ka njoftuar se 7 m e fundit të pendës nuk janë të shfrytëzueshme dhe kjo nënkupton se një sasi relativisht e vogël mbetet në shfrytëzim.

Ky ujëmbledhës furnizon 60% të qytetit dhe fshatrave të Gjilanit.

Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidromorava tha për Gazetën Express, se sot do të shpallet gjendja emergjente sa i përket furnizimit me ujë.

“Sot do të kemi një takim në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ku do të diskutojmë për hapat që do të ndërmarrim sa i përket gjendjes në terren. Po ashtu do të mbajmë një takim edhe me Kryetarin e Gjilanit, Lutfi Hazirin ku do të shpallim gjendjen emergjente”

Ai tha se niveli i ujit në Liqenin e Përlepnicës është në nivel rekord të rënies.

“Penda e Përlepnicës që është burimi kryesori i furnizimit është dukshëm nën nivel nga kuota maksimale, kemi edhe fabrikën e ujit në fshatin Velekincë që furnizon 30% të qytetit e cila po funksionon siç duhet dhe kemi furnizim të rregullt me ujë” tha Suliqi

Kompania apelon qytetarët që të kursejnë ujin dhe mos ta keqpërdorin, përndryshe do të ndiqen penalisht.

“ Punëtorët e kompanisë së bashku me Inspektoriatin Komunal nga Drejtoria e Shërbimeve të Komunës do të jenë në teren gjate gjithë kohës dhe kushdo që haset duke keqpërdorë ujin do të shkyqet nga rrjeti i ujësjellësit dhe lënda do të procedohet në Gjykatën Themelore Gjilan” kanë deklaruar Kompania Regjionale e Ujit “Hidromorava” /GazetaExpress/

You Might Also Like