LAJME

Gjilani ka listën e objekteve që kërkojnë mbrojtje të përhershme

Në fazën e parë të propozimeve që tashmë janë përcjellë në adresën e duhur në Prishtinë në MKRS – departamenti për Trashëgimi Kulturore), gjenden 13 objekte, kryesisht nga Gjilani, Kamenica, Vitia, Kaçaniku e Hani i Elezit, ka thënë Sabit Rrustemi, zyrtar për promovim në QRTK.

Qendra për Trashëgimi Kulturore në Gjilan ka propozuar disa objekte që të jenë në përhershme nga shteti.

Sabit Rrustemi, zyrtar për promovim në QRTK, ka thënë se është bërë punë njëmujore dhe janë kompletuar dosjet – formularët e parë për objektet që do të merren në mbrojtje të përhershme nga institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht nga MKRS-ja – departamenti për Trashëgimi Kulturore, në Prishtinë.

Sipas tij në fazën e parë të propozimeve që tashmë janë përcjellë në adresën e duhur në Prishtinë (MKRS – departamenti për Trashëgimi Kulturore), gjenden 13 objekte, kryesisht nga Gjilani, Kamenica, Vitia, Kaçaniku e Hani i Elezit. Sipas tij, për secilin objekt të propozuar janë siguruar dëshmitë e nevojshme si dhe arsyeshmëria po dhe historia e objektit dhe rëndësia që ka objekti i propozuar për t’u marrë në mbrojtje të përhershme.

Sipas drejtorit të QRTK-së, Artan Hoxha, në këtë fazë, janë propozuar ato objekte që janë më të ruajtshme dhe më të rëndësishme e në të cilat ka pasur edhe intervenime emergjente apo dhe sanime të ndryshme si pasojë e dëmtimeve nga faktori kohë dhe njeri.

Listës së objekteve të propozuara u prinë Atik Xhamia në Gjilan, e pasuar nga Kisha e Vjetër e Stubllës, në të cilën ka vepruar shkolla e parë shqipe në Kosovë. Aty kanë zënë vend edhe ish-Sariji i Mustafë Pashës që tash përdoret si Shkollë e Muzikës në Gjilan, Objekti i Kajmekamllëkut që tash iu ka lënë në shfrytëzim Muzeut dhe QRTK-së, Objekti i ish depos ushtarake turke e njohur edhe si Zyra e redifëve që tash shfrytëzohet nga dega e LDK të Gjilanit, Kulla e Zeqir Haxhës në Haxhaj, pronë e Kadri Vehbi Zeqirit, Kisha e Shën Anës në Dunav, teqeja e sheh Zenel Abedinit në Topanicë të Kamenicës, Xhamia e Koxha Sinan Pashës në Kaçanik, Shtëpia e Zekirja Abdullahut në Gjilan, Minarja e xhamisë në Cërnicë, Mahalla ( lagjja) e Bravëve në Puset e Nikës në Han të Elezit si dhe Kisha e Shndërrimit në Pasjan, komuna e Parteshit.

QRTK-ja e Gjilanit pret që këto objekte të merren në mbrojtje dhe përkujdesje të përhershme por, edhe po punon në kompletimin e dosjeve për propozimet vijuese të objekteve të cilat duhet ta gëzojnë statusin e mbrojtjes së përhershme, jo vetëm në letër por, edhe përmes investimeve, në mënyrë që ato, njëkohësisht të ruhen, por edhe të shfrytëzohen.

You Might Also Like