Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit dhe Bajram Kosumi, rektor në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për dixhitalizim të Stacionit të Autobusëve dhe shkollave të mesme.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorë kanë qëndruar sot në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, ku ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me rektorin e universitetit, Bajram Kosumi, për dixhitalizimin e shërbimeve në ndërmarrjen publike “Stacioni i Autobusëve” dhe dixhitalizim të shkollave të mesme, përmes ueb faqeve, në mënyrë që dy nivelet e institucioneve, në këtë rast Komuna dhe Universiteti të jenë përfituese.
Kryetari i Komunës Lutfi Haziri, ka thënë se kjo marrëveshje u ofron qytetarëve informacione të mjaftueshme, ndërsa studentëve njohuri praktike se si të punohet praktikisht në profesionin e tyre.
“Ky program për digjitalizimin e të gjitha shërbimeve në Stacion të Autobusëve dhe të gjitha shkollave të mesme, është hapi i parë i madh i bashkëpunimit dhe i mbështetjes që rektorati përmes dekanatit dhe studentëve do t’i japë mbështetje ndërtimit të ueb faqeve, organizmit të shërbimeve dhe aspekte tjera në shërbim të Gjilanit dhe më gjerë. Gjilani tashmë është pjesë e “Smart City”, program i cili mundëson teknologji të ndryshme si “IOS”, “Android” dhe programe të tjera të qasen dhe të jenë pjesë e Komunës”, ka thënë Haziri.
Haziri tha se universiteti do të prodhoj kuadro që do ta zhvillojnë edhe vendin tonë.
“Ky program kërkon edhe informacione shtesë, në mënyrë që njerëzit kur e kërkojnë Gjilanin mund ta gjejnë përmes programeve të ndryshme një numër të madh të informatave. Shpresoj shumë që rektorati do të vazhdoj mbështetjen edhe në programe të tjera që janë në interes të Komunës, që ta arrijmë qëllimin tonë të përbashkët, që Gjilani dhe Anamorava ta zënë hapin e madh të zhvillimit të gjithmbarshëm jo vetëm në sektorin e arsimit, por, edhe në zhvillimin ekonomik ku shpresat kryesore janë këtu. Ky universitet do të prodhoj kuadro që do ta zhvillojnë edhe vendin tonë”, ka thënë kryetari Haziri.
Ndërsa, rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, ka thënë se kjo është një marrëveshje e cila po bëhet së pari me Komunën e Gjilanit dhe është e vetmja e kësaj natyre, duke potencuar se angazhimi do të jetë maksimal dhe gjithnjë në shërbim të përgatitjes së studentëve për tregun e punës.
“Kjo marrëveshje është shumë e mirë, sepse si praktikë nuk është e shpeshtë në universitetet tjera. Por, kjo marrëveshje është e mirë edhe për studentët sepse përpos diplomës së notuar, prapa vetes ata do të marrin edhe një përvojë të mirë në realizimin e punëve të pavarura me një përgatitje të mirë profesionale për tregun e punës”, ka thënë rektori Kosumi, duke pohuar se në këtë universitet është duke u punuar në cilësi të lartë.