Gjilan, 10 janar 2020 – Me një akademi kushtuar dëshmorit të Kombit Xhevat Qerimi, në Gjilan është hapur zyrtarisht edicioni i sivjetmë i Manifestimit “Flaka e Janarit 2020”.
Në këtë ceremoni të organizuar nga Komuna e Gjilanit nën patronatin e kryetarit Lutfi Haziri, dhe bashkëorganizim me Shoqatat e dala nga Lufta e UCK-së, është vlerësuar lart veprimtaria atëdhetare e dëshmorit, vdekja e hershme “aksidentale” e të cilit, edhe sot e asaj dite mbetet misterioze, ndërsa kontributi i tij për lirinë e popullit shqipitar, mbetet i vecantë, u tha mes tjerash.
Në hapje të akademisë e në prani të pjesëmarrësve të shumtë institucional nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe familjarëve e bashkëveprimtarëve të dëshmorit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, vuri në pah kontributin shumëdimensional të dëshmorit Xhevat Qerimi, si pjesë e organizimeve të Lëvizjes ilegale të viteve 90-ta të shekullit të kaluar.
” E kam njohur Xhevatin në dy relacione; personale e më pas edhe në veprimtari. Çdo pjesë e Kosovës ka pasur përfaqësuesit e vet në përgatitjet e para ushtarake në Shqipëri. Këta janë njëherit kryengritësit e parë dhe më të mëdhenj të çlirimit të Kosovës. Vepra sublime dhe kontributi në organizimin e ilegales së asaj periudhe e dëshmorit Xhevat Qerimi, në cdo lagje, në çdo qytet e fshat, është fanar i ruajtjes së lirisë që po e gëzojmë sot”, tha, mes tjerash, kryetari Haziri, duke shtuar se shpirti i tij do ta ruaj këtë liri që po e gëzojmë, transmeton kumtesa e komunale.
Një fjalë rasti në këtë akademi ka mbajtur edhe ish komandanti i Zonës Operative të Karadakut Ahmet Isufi, i cili theksoi se dëshmori Xhevat Qerimi në rrethanat më të vështira të Kosovës iu bashkua lëvizjes për çlirimin e vendit, i brymosur nga gjeneratat e mëhershme, që nga paslufta e dytë botërore, e sidomos nga periudha më e fuqishme e lëvizjes sonë kombëtare për liri, në krye me Kadri Zekën, Rexhep Malën, Nuhi Berishën, Metush Krasniqin, Isa Kastratin e shumë figura tjera.
Në emër të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, kryetari Xhavit Jashari, theksoi se e gjithë veprimtaria e Xhevatit dhe bashkëudhëtarëve dhe bashkëvrpimtarëve të tyre, kanë pasur vetëm një qëllim – çlirimin e trevave të pushtuara dhe bashkimin e tyre në një shtet, as të madh e as të vogël, por në një shqipëri reale.
Fjalë rasti në këtë akademi ka mbajtur edhe Nazmi Beqiri, ish zëdhënës i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare në Maqedoni, i cili theksoi se dëshmori Xhevat Qerimi ka respektuar cdo pëllëmbë të trollit shqiptar, pavarsisht ndarjeve administrative.
Në emër të bashkëveprimtarëve të Xhevat Qerimit, Izmi Zeka i bëri një analogji veprës së dëshmorit dhe kontributit të tij për liri në vitet më të rënda të shtypjes dhe okupimit të popullit shqiptarë, duke vënë në pah se “vitet 1985 -1993 shënojnë periudhën historike të ri-ngritjes e organizimit ilegal të Lëvizjes popullore për Republikën e Kosovës, e cila në aspektin shkencor paraqet diversitetin e kohës dhe arsyeshmërin e zhvillimit dialektik, të ndërthurur me veprime ilegale konkrete dhe të dizajnuara nga njeriu kryesor i asaj periudhe, dëshmori Xhevat Qerimi”
Në emër të familjarëve të dëshmorit, të pranishmit me një fjalë rasti emocionues i ka përshëndetur vajza e tij, Qëndresa Qerimi.
“Babë, u bënë plot 27 vite që të kërkojmë. Të kërkojmë e nuk të gjejmë askund, vetëm në fotografi! U rritëm me fotografitë tuaja dhe ende po rritemi me to sepse nuk patëm mundësi të rriteshim me ty. Po rritemi me fjalët që na thonë për ty. Nga sot as historia nuk të harron dot”, tha ajo.
Po sot dëshmori Xhevat Qerimi, me nderime të larta është rivarrorur në varrezat e dëshmorëve në Gjilan.
Manifestimi Mbarëkombëtarë “Flaka e Janarit 2020” vazhdon nesër me aktivitete zyrtare të parapara sipas kalendarit, me nderime tek varrezat e dëshmorëve, vizitës në FSK, për të vijuar në mbrëmje me ndezjen e Flakadanit të “Flaka e Janarit 2020”.