Sporti i volejbollit në Kosovë, rrallë ka përjetuar një ndeshje të tillë si ajo në mes të KV Drita dhe KV Maritza Plovdiv nga Bullgaria. Kjo ndeshje e vlefshme për Ligën e Kampioneve, në të gjitha aspektet e lojës u ka takuar bullgareve, por atmosfera e krijuar gjithsesi se i ka befasuar të gjithë, edhe mysafirët, por edhe përfaqësuesit e CEV-it, të cilët këtë ndeshje e kishin cilësuar si kryesoren.
Në këtë ndeshje u pa se forcat në fushë nuk ishin të barabarta, ngase bullgaret kishin gjatësinë e përvojën, derisa volejbollistet e Dritës u përpoqën aq sa mundën. Drita arriti që në setin e parë të marrë 13 pikë, në të dytin 11, derisa në të tretin mori 15 pikë dhe kjo ishte forca e vashave të Lorik Ilazit. Bullgaret u shquan me lojë agresive në sulm, me gjuajtje nga të gjitha pozitat, sikurse që te to shumë i mirë ishte edhe blloku, derisa vendasit ishin të mira në shërbime, por edhe në lojën në fushë, derisa më pak funksionoi blloku.
Ndeshja e radhës zhvillohet këtë të shtunë në Plovdiv të Bullgarisë.
Drita – Matitza 0:3 (13:25, 11:25, 15:25)
Drita: Richardson, Asani, Dushica, Syla, Jaha, Kadriu, Leka, Mehmeti, Ortega, Ilazi, Hyseni, Latifi.
Maritza: Danqeva, Bozdeva, Atanasova, Kovaqeva, Dimiotrova, Cesljar, Taneva, Grigorova, Usheva, Monova, Todorova, Qausheva, Cvetanova.