Libri

Me vargje të zgjedhura nxënësit e Gjimnazit “Xhavit Ahmeti” kujtojnë heroin Agim Ramadani

Pavarësinë e Kosovës, tash e 12 vite me radhë po e festojnë edhe nxënësit e gjimnazit, ata po festojnë më ndryshe, duke shpalosur program të pasur kulturor e artistik.

Në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, në këtë festë të pavarësisë, për të cilën është sakrifikuar shumë, është thënë se pavarësia është qëndisur me gjakun e dëshmorëve, me dhimbjen dhe krenarinë e nënës, me lotin dhe mallin e fëmijës.

Nxënësit e gjimnazit, të udhëhequr nga profesoresha e tyre Shqipe Sijarina – Jakupi, në shenjë falënderimi për dëshmorët e rënë, kanë zgjedhur që të kujtojnë heroin Agim Ramadani, piktorin që flaku tutje brushën, poeti që la vargun, i cili më 1994 kishte shkruar:

A mjafton

Të presim vetëm

Duke larguar perden

Për të parë si na vjen liria.

Nxënësit recitues, kanë interpretuar poezi të shkruara nga vetë heroi e më pas recituan edhe poezi të Shefqet Dibranit, Ramadan Mehmetit, Sylë Mujajt dhe Sabit Rrustemit.

Nxënësit që recituan ishin Kledia, Dëbora, Erëza, Rona, Verona, Artiola, Elona, Aurora, Leonita, Albini, Florinda dhe Aiola, e cila gjithashtu ishte moderatore e programit.

Poezitë janë pëlqyer nga mësimdhënësit, prindërit e nxënësit, që ishin të pranishëm në këtë ngjarje kulturore.

You Might Also Like