Gjilan, 8 qershor 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit që ka mbajtur me Komitetin për Menaxhimin e Emergjencave, në përballje me Covid-19, ka paralajmëruar kontrollë strikte, thirrje për vetëdijësim të qytetarë e deri në mbyllje të veprimtarive, sepse sipas vlerësimeve dhe rekomandimeve shëndetësore, pandemia është aktive dhe e rrezikshme për shëndetin publik në Gjilan dhe Kosovë.
“Mbrëmë kemi marrë informatën se pas analizave që janë bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, një qytetarë i yni është pozitiv në testin me Covid 19, në rrugën “Mulla Idrizi”, që është burim i kontaktit me persona të punës në Prishtinë. Ne, megjithatë, kemi marrë listën e kontakteve dhe do të veprohet në bazë të udhëzimeve shëndetësore”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai ka hequr dilemën e kontakteve apo burimit të infeksionit në Gjilan, derisa ka kërkuar vëmendje dhe kujdes maksimal të qytetarëve në mënyrë që të mos kemi raste të reja nga Komuna e Gjilanit.
“Ky është rasti i 87-të që ne e kemi, prej të cilëve 63 raste janë shëruar plotësisht, dy vdekje dhe 22 raste janë aktive edhe më tutje, të cilat po menaxhohen në baza ditore, përmes institucioneve shëndetësore dhe emergjencave civile, në mënyrë që rastet në Gjilan të shkojnë drejtë mbylljes”, ka potencuar Haziri.
Njëkohësisht, në fjalën e tij para gazetarëve, kryetari Haziri ka thënë se kjo nuk është e lehtë përkundër masave lehtësuese të cilat janë në bazë të vendimit të institucioneve qendrore, ku janë suspenduar një pjesë të masave kufizuese, kujdesi qytetar duhet të jetë në nivelin maksimal.
“Rikthimi i virusit mund të ndosh dhe gjendja mund të keqësohet. Gjatë vikendit dhe javës që shkoi, kemi evidentuar dy probleme. E para që qendrat e mëdha tregtare janë duke e thyer masën e mosofrimit të shërbimeve pa mjete mbrojtëse. Ata janë duke thyer rregullat e pandemisë dhe vendimeve të institucioneve të shtetit. Problem i dytë është grumbullimi në restorante dhe kafiteri, ku nuk është duke u respektuar distanca dhe masat mbrojtëse në bazë të rekomandimeve. Asnjë lokal deri më tani nuk i ka respektuar masat, me përjashtim të disa restoraneve që ofrojnë ushqim. E njejta është duke ndodhur edhe nga qytetarët gjatë qarkullimit në rrugë”, ka potencuar në fjalën e tij kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Konfirmohet se Komuna e Gjilanit, do të veprojë përmes inspeksionit dhe organeve të shtetit me një vendosmëri strikte dhe kjo do të bëhet në kuadër të kujdesit për shëndetin publik.
“Jemi të detyruar që t’i mbyllim aktivitetet me operacion të veçantë të inspeksionit komunal. Kjo nënkupton vendosjen e ‘drynit’ dhe mbylljen e lokalit, deri në zbatim të masave, sepse nuk guxojmë të rrezikojmë shëndetin publik për motive komerciale, përkundër që tre muaj kanë qenë të mbyllura”, ka përfunduar ai.