Futboll

Gjilani kalon pengesën e quajtur Tre Penne

Gjilani ka shënuar fitore në ballafaqim me ekipin nga San Marino, Tre Penne, duke fituar me rezultat 1 :3.

Gjilani më mirë e ka nisur ndeshjen, por nga një kundërsulm ka pësuar gol. Në minutën 16, Nikola Gai ka shënuar gol të bukur duke qëlluar këndin e epërm të majtë të portës së Koliqit.

Nuk ka kaluar shumë kohë dhe Gjilani ka barazuar. Një aksion i shpejtë nga e majta është nisur nga Gerhard Progni, i cili ka harkuar, kurse malazezi Darko Nikaq ka kërcyer dhe ka qëlluar topin me kokë, duke e futur atë në rrjetë për 1 me 1.

Për Gjilanin janë lehtësuar punët në minutën 43, kur Luka Sorento është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë.

Gjilani e ka dominuar tërësisht pjesëlojën e dytë. Në minutën 64, Fiton Hajdari ka goditur shumë saktë, duke qëlluar shtyllën e portierit të Tre Pennes, i cili ishte lojtari më i mirë i vendasve, por kësaj radhe për fatin e keq të tij, topi nga shtylla u përplas në rrjetë.

Goli i tretë i Gjilanit u arrit në minutën 68, kur Ardit Hila nga afërsia e futi topin në rrjetë.

Deri në fund Gjilani pati edhe shumë raste të mira shënimi, kurse Tre Penne asnjë të tillë.

You Might Also Like