Klubi i Futbollit Gjilani është ankuar në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, kurse ankesa i është dërguar edhe kryetarit të FFK-së, duke kërkuar që të anulojnë vendimin e Lidhjes Rajonale të Futbollit në Gjilan, ngase KF Gjilani ka gjetur se në këtë kuvend ka pasur shumë parregullsi.
Sipas KF Gjilanit Kuvendin e kishin thirrur 12 delegatë të LRF-së por në të shumë qartë shihen makinacionet, ngase u nënkuptua se LRF e Gjilanit nuk kishte as statut as rregullore të kuvendit dhe as rregullore të tjera. KF Gjilani ka vërejtje se sekretari gjeneral urdhëroi që të zgjidhen delegatët e kuvendit, duke i mbajtur kuvendet e klubeve, por duke harruar se ky ishte kuvend i jashtëzakonshëm, kurse delegatët ishin të mandatar për katër vite, madje ata nuk kanë mundur të ndërrohen as për periudhën 30 ditëshe që i ka dhënë sekretari. KF Gjilani se këto veprime dhe kërkesa të sekretarit ishin jo statuare dhe ishin pikërisht këto parregullsi që hapën rrugë për abuzime të shumta, si presioni ndaj klubeve për sigurimin e votave dhe ndërrimin e delegatëve dhe se ka pasur rastin kur delegatët janë përcaktuar nga vetë kryetari i LRF-së, është thënë në ankesën e KF Gjilani, duke përmendur shumë parregullsi, poste të shumëfishta të kryetarit të LRF-së, pastaj ndikimin e politikës në zgjedhjen e delegatit, të qenit delegatë pjestarë të stafit komunal dhe të meta të tjera.
“Kriteret e përcaktuara për numrin e delegatëve i lanë nën margjina dy klubet me renome të Superligës së Kosovës, që është non-sens”, është thënë në ankesën e KF Gjilani, andaj është kërkuar që të veprohet sipas rregulloreve të FFK-së, UEFA-së dhe FIFA-s, të mënjanohen konfliktet e interesit dhe implikimet politike dhe se mosveprimi i KE të FFK-së e zhvleftëson dorëheqjen e Murat Hoxhës dhe Bekim Haxhiut.
KF Gjilani ka paralajmëruar se nëse nuk merren parasysh ankesat e tyre ata do të ankohen edhe në organe të tjera, përfshirë këtu UEFA-në dhe FIFA-në.
Në ankesën e tyre KF Gjilani ka bashkëngjitur dokumente të cilat vërtetojnë pohimet e tyre.