Gjilan, 28 janar 2021 / Edhe më të vegjlit kanë nderuar “Flakën e Janarit 2021” nëpërmjet një koncerti të muzikës për fëmijë “Xixat e Flakës”, ku ata i kanë kënduar Shqipërisë, flamurit dhe heronjve të saj, Kosovës, bukurive të vendit tonë, ëndrrave të më të vegjëlve, por edhe natyrës, shkollës dhe të ardhmes. Ky është koncerti i njëmbëdhjetë me radhë e ku kësaj here kanë marrë pjesë solistë të vegjël nga të gjitha trevat shqiptare.
Nën udhëheqjen artistike të Kushtrim Jakupit, me ndriçimin dhe zërimin e DJ Albani e Fatmir Halili, në skenografinë e bërë nga Korça janë paraqitur mbi pesëmbëdhjetë solistë, në koncertin që e kanë moderuar Diana Toska e Triola Jakupi, kurse fotografimi dhe xhirimi i është besuar Fatlum Kosumit.
Fillimisht nën tingujt e këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime” janë paraqitur me vallëzimin e tyre Grupi i Vallëzimit “Dancing House”. Solistja Elena Çoçaj, është paraqitur me këngën “Shqiponja ime”, Dema Sejdiu këndoi këngën “Vendi heroik”, Olta Kastrati – “Dua të bëhem”, Luna Halimi interpretoi këngën “Dita e Flamurit”.
Me dy këngë është paraqitur edhe Kori OKARINA që ka interpretuar këngët “Agimet shqiptare” dhe “Mora fjalë”, për të pasuar më pas Emi Bakija me këngën “Kosova”, Jon Abazi – “Për ty”, Bora Shurdhani dhe Fis Latifi me këngën “Perëndesha”, Ornela Sinani – “28 Nëntori” dhe Miri Hoxha me këngën “Rrugë e mbarë”.
Para publikut sërish është paraqitur Grupi i Vallëzimit Modern “Dancing House” – Contemporary për të vazhduar më pas me koverët e Ilda Nuhiut – “Ktheju tokës”, Arlind Zejnullahu – “Ëndërr”, Agnesa Sejdiu – “Baresha” dhe Rea Rexhepi – “Shqipëria ime”, për t’u përmbyllur koncerti me Thesari – Baresha.
Këngët e vallëzimet janë komponuar nga koreografja Nazlije Shabani, Kushtrim Jakupi, Shkodran Tolaj, Qazim Kryeziu, Fitim Halimi, Artan Bakija, Hekuran Bllaca, Mentor Latifi, Nazmi Aliu, Eriona Rushiti, Agron Berisha, Rexho Mulliqi, Feim Ibrahimi e udhëheqësja Arife Kastrati.
Ndryshe, të gjithë solistët janë nderuar me mirënjohje e me një mirënjohje të veçantë është nderuar edhe kompozitori Isa Jakupi.
Kushtrim Jakupi, udhëheqës artistik, ka theksuar se ky festival është më i veçantë, ngase mbahet në përvjetorin e tridhjetë të “Flakës së Janarit”.
Festivali për fëmijë mbahet tash e 11 vite me radhë dhe i përshtatet karakterit të “Flakës së Janarit”.
Nëpërmjet këtij festivali po mundohemi që literaturën fëmijërore ta begatojmë me temat që kanë të bëjnë sa më shumë me atdhedashurinë, me shkollën, me vendlindjen, mësuesin etj.
Pjesëmarrja ishte gjithëpërfshirëse dhe kishte mysafirë nga të gjitha qytetet e Kosovës dhe Festivali nga viti në vit po arrin që ta krijojë karakterin që i duhet “Flakës…”.
Në këtë vit nga kryetari i komunës Lutfi Haziri është nderuar edhe figura e cila ishte ndër nismëtarët e parë jo vetëm të “Xixave të Flakës”, por edhe të shtyllës muzikore të “Flakës…”, kompozitorit më të madh të regjionit tonë për fëmijë, Isa Jakupi, i cili është nderuar me mirënjohje për kontributin jetësor të dhënë në lëmin e muzikës. Mirënjohjen atij ia ka ndarë Deniza Limani, drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sporte.
Festivali nuk pati karakter garues.