Ekspedita e volejbollisteve të Franches Montagnes, ekip zviceran, që do të përballet me Dritën e Gjilanit ka mbrritur në Kosovë dhe ato janë të gatshme për ndeshjen që do të luhet këtë të enjte me fillim në ora 20.
Ekipi gjilanas i ka bërë pritje si i ka hije një nikoqiri ekipit zviceran, i cili në ndeshjen e parë kishte ngadhënjyer me rezultat 3:0.
Edhe në ndeshjen e dytë, VFM është favorit për të shkuar tutje në garat e CEV Cup, ngase në përbërjen e vet ka lojtare të njohura jo vetëm zvicerane, por edhe nga jashtë.
Të rikujtojmë se pjesë e ekipit zviceran janë edhe dy amerikane, dy argjentinase dhe një sllovene.
Stinorin e kaluar kishte zënë vendin e tretë në Ligën Nacionale A të Femrave në Zvicër. Ky klub ishte themeluar më 1991, pasi atë vit ishin fuzionuar dy klube të mëhershme dhe qyteti ku garon quhet Saignelégier në Kantonin Jura të Zvicrës frankofone, që i ka saktësisht 2559 banorë, sipas regjistrimit të vitit 2013. Ekipi udhëhiqet nga një trajner brazilian, Romeu Beltramelli Filho, kurse suksesi më i madh i këtij klubi mund të llogaritet fitimi i Superkupës së Zvicrës më 2005. Ngjyrat e klubit janë kuq e gjelbër.