Në Muzeun e Gjilanit bëmë një intervistë me përgjegjësen e Muzeut të Qytetit, Gjylshen Doko Berisha, e cila për lexuesit tanë flet mbi aktivitetet e këtij muzeu.
Kryealajmi: Zonja Berisha, si lindi ideja për themelimin e Muzeut të Qytetit
Gjylshen Doko Berisha: “Së pari ju përgëzoj për interesimin tuaj që përmes dritares së Kryelajmit të njoftoni lexuesit tuaj, opinionin publik, qytetarët e Gjilanit dhe më gjerë me historikun e Muzeut të qytetit dhe Muzeut etnografik të Gjilanit. Premtimi elektoral që në mandatin e parë i kryetarit të komunës z.Haziri që Gjilani të ketë muze pasuar me vendimin e Kuvendit komunal për caktimin e lokacionit (ndërtesa e kajmekamit, ndërtuar në gjysmën e shekullit XIX) dhe vendimi për themelimin e muzeut ishte një lajm i mirë jo vetëm për mua, por për të gjithë qytetarët e Gjilanit. Duke e ditur se shumë artefakte arkeologjike dhe eksponate etnologjike të Gjilanit në mungesë të muzeut në Gjilan janë ekspozuar në Muzeun Kombëtar në Prishtinë (eksponatet e tumave të Llashticës; tirqit në Muzeun etnografik të Prizrenit etj.) tani më me themelimin e muzeut do të mbesin në Gjilan.
Kryelajmi: Kur jeni angazhuar në punën tuaj në këtë muze dhe si ishin fillimet e para?
Gjylshen Doko Berisha: Kam kënaqësinë që jam angazhuar në Muzeun e qytetit që nga marsi i vitit 2016, Zyrtare për Muzeologji në kuadër të QRTK gjegjësisht MKRS, ndërsa nga marsi 2019 Përgjegjëse e Muzeut të qytetit. Menjëherë kam filluar me njoftimin së pari miqtë e shumtë edhe qytetarët se Gjilani bëhet me muze dhe se ka nevojë të pajiset me eksponate muzeore. Bëra thirrje që të dhurojnë eksponatet që i kishin. Fillova me eksponatet e mija që i kisha në shtëpi, stafi i QRTK gjithashtu pastaj miqtë dhe qytetarët iu përgjigjën kësaj thirrjeje, madje edhe nxënësit e shkollave. Vizitoja në shtëpitë e tyre shumë miq që e dija se kanë eksponate dhe ju kërkoja t’i dhurojnë ato. Dhe kështu çdo ditë mbusheshin dhomat e muzeut. Një falënderim i veçantë për të gjithë dhuruesit. Paraprakisht stafi i QRTK që nga themelimi i QRTK, kishte filluar me grumbullimin e artefakteve arkeologjike dhe etnologjike, një numër i tyre në mungesë të objektit përkatës edhe ishin dëmtuar.
Kryelajmi: Kur mund të themi se Muzeu i Gjilanit u hap për vizitorët:
Gjylshen Doko Berisha: Me vendosjen e QRTK, në Gjilan në ndërtesën e Kajmekamit eksponatet u vendosën në vendin përkatës. Hapja zyrtare e Muzeut të qytetit është bërë më 28 nëntor 2016 (ditë simbolike e flamurit kombëtar). Interesimi i qytetarëve për ta vizituar muzeun shtohej dita ditës gjithashtu edhe nxënësit e shkollave në mënyrë të organizuar vinin dhe vizita e tyre shndërrohej në orë mësimore. Numri i vizitorëve rritej nga viti në vit, prej 3000 deri në 5000 vizitorë por pastaj prej marsit 2020 për shkak të pandemisë numri i tyre dukshëm u zvogëlua. Gjithashtu meqë ndërtesa e muzeut është në mbrojtje si monument kulturor, shumë studentë të arkitekturës e kanë vizituar dhe studiuar ndërtimin e saj. Në vazhdimësi kemi pas studentë praktikantë të etnologjisë, arkeologjisë, arkitekturës etj.
Kryelajmi: A bashkëpunon Muzeu i Gjilanit me institucione të tjera?
Gjylshen Doko Berisha: Muzeu i qytetit u miqësua me Shkollën e Artit Pamor, nxënësit por edhe mësimdhënësit kanë mbajtur ekspozita të shumta të punimeve të tyre. Gjithashtu edhe OJQ kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme si p.sh. Forumi i Gruas Shoqatës së të Verbërve ekspozimin e punim doreve të tyre, Organizatat Rinore, shkollat, vlen të veçohet Gjimnazi “Xhavit Ahmeti” etj.
Kryelajmi: Hapja e Muzeut Etnografik është diç e re në Gjilan.
Gjylshen Doko Berisha: Së fundmi, me investimin e BE dhe participimin e komunës u bë hapja edhe e Muzeut etnografik, më 18 maj 2021 (ditë ndërkombëtare e muzeve) në ndërtesën e ish shkollës së muzikës, gjegjësisht ish saraji i Mustafë Pashës (monument i mbrojtur i trashëgimisë kulturore). Shumica e eksponateve në këtë muze janë bartur nga muzeu Qytetit dhe tjerat janë grumbulluar nga ekipi përgatitor i muzeut (veshja e grave të Medvegjës, veshje të nuseve, grave, etj). Bashkëpunimi i muzeut me QRTK vazhdon dhe falënderoj QRTK që ka ofruar CD e valleve të Karadakut të cilat në vazhdimësi dëgjohen përmes mjeteve teknike në dhomën e instrumenteve muzikore. Ndër eksponatet më të vjetra janë: Arka e nuses(1889), mitani i nuses me kllopodan; dybeku (mbi 200 vite), mjetet e punës së zejtarëve (këpuctarit), rrëshiqi (farkëtarit), kallëpi i plisit, zdrukthat,etj. Unë besoj se edhe më tutje do vazhdojë dhurimi i eksponateve por njëkohësisht shpresoj se një numër i konsiderueshëm i tyre që janë në Muzeun Kombëtar do të kthehen në Gjilan. Me hapjen edhe të Muzeut etnografik jam Përgjegjëse e dy muzeve, shpresoj se së shpejti do të kemi edhe stafin profesional të muzeve: arkeologë, etnologë, mirëmbajtës etj.
Kryelajmi: Si po veproni në rrethana pandemie?
Gjylshen Doko Berisha: Për rrethana të ditura nga Pandemia i jemi përmbajtur udhëzimeve të IKSHP por tani me lirimin e masave, besoj se numri i vizitorëve do jetë në rritje dhe nevoja për të plotësuar këto vende është imediate. Momentalisht është një student praktikant me të cilin jemi pajtuar që të ndryshojmë edhe orarin e punës sipas nevojës, me orar shtesë sipas paralajmërimit të grupeve të vizitorëve sepse pritet ardhja e tyre edhe nga diaspora. Në pyetjen tuaj se a do ndryshoja diçka në jetën time publike them me vendosmëri se gjithmonë ka hapësirë për më shumë, të kaluarën nuk do e ndryshoja, të ardhmen, Po, për ju të rinjtë! “
Intervistoi: Jona Kallaba