PDK dëgjon sfidat e bizneseve gjilanase nga pandemia
Kandidatja për Kryetare të Komunës së Gjilanit, Leonora Bunjaku, bashkë me disa nga aktivistët e PDK-së dhe kandidatet për listën në Kuvendin Komunal, Erza Rexhepin, Suzana Selimin dhe Gentiana Bajramin, vizituan biznesin e mobilerisë “Gëzimi” në Gjilan.
Kandidatja Bunjaku shprehu falënderimin për mikpritjen e shkëlqyeshme nga nikoqirët, Njomza dhe Gëzim Hajrullahu, si dhe u njohën për së afërmi me sfidat e biznesit të tyre, e veçmas për pandeminë e stërzgjatur dhe efektet e saj në ekonomi.
“Jemi të vetëdijshëm për pasojat e shumta që pandemia COVID-19 po lë në çdo fushë, e veçmas në fushën e biznesit. Me qeverisjen nën drejtimin tonë, do ta konsiderojmë çdo biznes, partner të ndërtimit e zhvillimit të komunës sonë, duke i përkrahur në të gjitha fushat, prej lehtësimeve në aspektin administrativ, infrastrukturor dhe çdo masë tjetër që u lejon bizneseve, zhvillimin e veprimtarisë së tyre. Pasojat e pandemisë për bizneset në Gjilan, do t’i shqyrtojmë me kujdes gjatë mandatit tonë të ri qeverisës” – u shpreh kandidatja Bunjaku.
Kurse Erza, Suzana dhe Gentiana, si kandidate për anëtare të Kuvendit Komunal në Gjilan, u zotuan se do të adresojnë çdo kërkesë që kanë bizneset në komunën tonë në Kuvendin Komunal dhe premtuan mbështetjen e çdo nisme që ia lehtëson aktivitetin biznesor, ndërmarrjeve të vogla, të mesme e të mëdha.