Në stërvitjen e sotme, klubi ynë pati për vizitë përfaqësuesit nga Federata e Futbollit të Kosovës, me ç’rast është bërë edhe dorëzimi i pakos së katapultave në kuadër të digjitalizimit të klubeve.
Në prezencë të kryesisë së klubit, stafit teknik dhe futbollistëve, presidenti i FFK-së, Agim Ademi tha se ky projekt do t’i ndihmojë trajnerët në punën e tyre të përditshme dhe profesionale të ekipeve.
Sipas tij, me anë të kësaj pajisje trajnerët mund të ndjekin në mënyrë sa më profesionale punën e secilit futbollist dhe kjo ndikon edhe në rritjen e cilësisë së ligës.
Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i FC DRITA, Feti Murseli theksoi se teknologji të tilla janë të nevojshme për futbollin kosovar, klubet, trajnerët e futbollistët, për çka do të synojnë të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale e teknologjike për klubin tonë.
Kurse, Drejtori Sportiv, Valon Zymberi përgëzoi Federatën për këtë projekt, inkurajoi që të vazhdojnë me iniciativa të tilla, por edhe të përmirësimit të infrastrukturës sportive, në mënyrë që futbollistët të tregojnë punën dhe përgatitjet e tyre.
Kjo paisje GPS pritet të vendoset nën fanellë të futbollistëve dhe më pas nëpërmjet softuerit përciellet çdo lëvizje e tij, puna që ai bënë gjatë stërvitjes apo ndeshjes.