Sportet me dorë

Venera Kadriu, nga SHBA-të në Gjilan, për t’u stolisur te KV Drita me titullin kampion

Venera Kadriu, volejbolliste e Klubit të Volejbollit Drita, kur kishte qëlluar topin e fundit ndaj KV Skenderaj në finalen e pestë të play-offit, me duart e ngritura lart ishte drejtuar kah tribunat e Palestrës “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan. Kjo gjuajtje e saj dhe kjo pikë vulosi fitoren e Dritës, ekip ky që për herë të shtatë pas lufte u stolis me titullin kampion.

Kur më tepër se para tri vitesh ishte nisur në SHBA për të kryer studimet dhe për të vazhduar karrierën e volejbollistes, u duk se KV Drita humbi një lojtare të madhe, mirëpo megjithëse matanë Atlantikut, Venera Kadriu gjithmonë e kishte në zemër klubin ku kishte nisur karrierën e saj. Ajo u kthye dhe sërish dëshmoi se mbetet shembull se si luftohet për ngjyrat e klubit të zemrës. Ajo u rikthye më e fuqishme se kurrë dhe bashkë me shoqet e saja të klubit, udhëheqjen brilante të Lorik Ilazit, u rikthye për të fituar titullin e radhës me KV Dritën.

Me një vullnet të pashoq, përqendrim maksimal e papërmbajtshme në sulm dhe mur i pathyeshëm në mbrojtje, Venera Kadriu i dha zemër shoqeve të saja edhe atëherë kur u duk se sivjet titulli u humb. Ajo la pas edhe dhimbjet e një lëndimi në serinë finale dhe arriti pikë vendimtare për të mbetur titulli kampion në qytetin e saj të lindjes.

Venera Kadriu, punëtore e palodhshme ende ka shumë për t’i dhënë volejbollit të Kosovës, ajo është shembull se si duhet luftuar për ekipin dhe qytetin e saj, andaj gëzimin e madh që e shfaqi pas ndeshjes vendimtare në finale, ajo plotësisht e ka merituar./kryelajmi.com/.

 

You Might Also Like