Teatër

Aktores gjilanase Flaka Latifi i është besuar roli kryesor në shfaqjen “1984”

Në shfaqjen “1984” , të adaptuar për Teatrin Kombëtar të Kosovës, aktores Flaka Latifi i është besuar roli i Julias, një prej roleve kryesore.
Më 30 shtator, në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet shfaqja e bazuar në një prej novelave ikonë të shekullit 20-të, ‘1984’, e autorit George Orwell, shkruan KultPlus.
Shfaqja ‘1984’ vjen në Kosovë e adaptuar posaçërisht për Teatrin Kombëtar të Kosovës nga regjisori francez, Igor Mendijsky, një bashkëpunim ky që do të sjellë në hapësirat e teatrit një kryevepër të përmasave botërore.
“1984” e George Orwell flet për një shoqëri të kontrolluar nga një qeveri autoritare që mbikqyr dhe kontrollon çdo aspekt të jetës së qytetarëve. Megjithatë, në interpretimin e regjisorit Mendjisky, fokusi i shfaqjes ‘1984’ do të jetë mbi historinë e dashurisë së çiftit protagonist, Winston dhe Julia. Një histori që ballafaqohet me fatin e tmerrshëm të shoqërisë së tyre.
Për adaptimin e novelës ‘1984’ për skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në një intervistë për KultPlus foli vetë regjisori Igor Mendjisky, i cili fillimisht tregoi zanafillën e këtij bashkëpunimi.
Ndër të tjera Mendjisky tha se kjo është hera e parë që punon me një shfaqje në Kosovë.
Regjisori francez nuk la pa përmendur edhe potencialin e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të cilët thotë se u është përshtatur kjo novelë më shumë se kujtdo tjetër.
Ai shtoi se “Atorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës janë të mrekullueshëm. Ajo që u them miqve të mi në Paris është se ky tekst, kjo novelë nuk do të ishte luajtur në këtë mënyrë në Francë. Ajo që nënkuptoj është se çka dini ju këtu, nga ajo që ju keni përjetuar nga lufta këtu është diçka që ju lidh më shumë me këtë novelë, më shumë sesa në Francë”, tha regjisori Mendjisky, duke nënvizuar ndërlidhjen e situatave në Kosovë, me ato që përmenden në këtë novelë.
Pavarësisht kohës së shkurtër të provave e shumë sfidave që përballet Teatri Kombëtar i Kosovës, Mendjisky thotë se beson se gjithçka do të realizohet me sukses dhe se publiku do ta pëlqejë këtë shfaqje.
Në shfaqjen ‘1984’, të adaptuar për Teatrin Kombëtar të Kosovës, aktores Flaka Latifi i është besuar roli i Julias, një prej roleve kryesore.
Në një intervistë për KultPlus, Latifi thotë se që në momentin kur i është dhënë ky rol, është ndjerë e lumtur dhe njëkohësisht edhe me përgjegjësi të mëdha mbi supe për të dalë sa më mirë që është e mundur.
“Julia është një nga protagonistet në veprën “1984” nga George Orwell. Ajo është një vajzë e re, plot jetë e gjallëri, intuitive e rebele e cila e njeh shumë mirë partinë. Që nga momenti i parë kur mora njoftimin se do jem pjesë e kësaj shfaqje dhe pikërisht që do të kem rolin e Julias, jam ndjerë e lumtur dhe njëkohësisht me pergjegjësi të madhe për ta portretizuar këtë rol sa më mirë. Rëndësi të veçantë ka poashtu sepse ‘1984’ në Kosovë po punohet për herë të parë, andaj trajtimi, puna dhe përkushtimi duhet të jenë maksimal në mënyrë që publiku ta kuptojë qartë dhe ta ketë ndjesinë e ‘1984’”, tha Latifi.
Ajo më tutje shtoi se kjo shfaqje është duke u punuar brenda një muaji. Megjithatë, pavarësisht kohës së shkurtës, Latifi thotë se të gjithë po bëjnë më të mirën duke punuar ndonjëherë edhe me orar më të zgjatur, vetëm për të pasur rezultate e performancë të sukseshme.
“Unë dhe roli i Julias kemi disa të përbashkëta të cilat më ndihmojnë t’i kem më të lehta edhe dallimet. Deri më tani mendoj se jam duke u mishëruar çdo ditë e më shumë me rolin, shpresoj që shfaqja në premierën e saj ta ketë Julian e Orwellit dhe aktoren e Mendjisky”, tha ndër të tjerash aktorja Latifi.
Pavarësisht kohës së shkurtër të realizimit të kësaj shfaqje, aktorët dhe regjisori Mendijsky po punojnë me ritme të shpejta. Për rezultatet e arritura deri më tani, Flaka Latifi meritat ia dedikon regjisorit, që sipas saj ka gjetur mënyrën e duhur për të punuar me secilin nga ta.
“Më pëlqen mënyra e punës së regjisorit, i cili në radhë të parë është i sinqertë me ne, është i hapur edhe për propozimet nga aktorët, punon dhe provon në skenë. Jam e kënaqur sepse kuptohem shumë mirë me të”, tha më tej Latifi, duke përmendur po ashtu se edhe bashkëpunimi mes aktorëve ka qenë i jashtëzakonshëm.
E për fund, Flaka Latifi tha për KultPlus se beson që qëllimi i regjisorit do të realizohet me sukses dhe audienca do ta pëlqejë këtë shfaqje.
“Shpresoj shumë që ata të cilët do vijnë ta shohin shfaqjen, të dalin nga teatri me citatin tim të preferuar nga George Orwell ‘Qëllimi nuk është që t’rrijmë gjallë por të mbetemi njerëzorë’”, përfundoi Latifi.
Ndërkaq, ju rikujtojmë që premiera e shfaqjes ‘1984’ e regjisorit Igor Mendjisky, do të jepet më 30 shtator në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Përveç Flaka Latifit dhe Ylber Bardhit në këtë shfaqje luajnë edhe aktorët e tjerë: Adrian Morina, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Shpejtim Kastrati dhe Xhejlane Godanci./ KultPlus

You Might Also Like