Në Bibliotekën Ndërajonale “Fan. S. Noli” në kuadër të “Vjeshtës letrare të Gjilanit” është promovuar libri “Shprushje nëpër vargjet që nuk zbehen”, grup autorësh, në të cilën Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Club “Beqir Musliu” ka thënë se Rexhep Elmazi, mbetet emri më i ndritur i atdhetarisë dhe poezisë ndër ne, ngase nëpërmjet poezive të tij ka bërë që ai të mbetet ndër poetët më të lexuar dhe preokupim i studiuesëve të letërsisë, shkruan kryelajmi.com.
“Kanë kaluar pesë dekada dhe poezia e Rexhep Elmazit vazhdon të vlerësohet dhe qe gjysmë shekulli poezia e tij është aktuale”, ka thënë Rrustemi.
Anton Nikë Berisha, ka thënë se kuy libër e ringjall poetin, ngase siç ka thënë ai, teksti e bënë poetin e jo poeti tekstin dhe se sa më shumë vepra të kësaj natyre që botohen, poetët janë më afër nesh.
Zyrafete Shala, kritike letrare dhe recensente e këtij libri, ka theksuar se kritika për poezinë e Rexhep Elmazit është marrë prej vitit 1972 e deri më 2023. Ai kishte dy vëllime me poezi, për poezinë e tij u bënë disa studime, u shkruan libra e ky libër i fundit e plotëson krijimtarinë për Rexhep Elmazin. Ajo tha se vështrime për poezinë e Rexhep Elmazit kanë bërë Jusuf Gërvalla, Ali Aliu, Teki Dervishi, Ramadan Musliu, Anton Berisha e kritikë të tjerë.
Pjesëmarrësit i ka falënderuar i biri i poetit, Salvador Elmazi, i cili tha se edhe ai poetin – babanë e kishte njohur përmes veprave të tija dhe të miqve të tij, të cilët i kishin folur shumë për Rexhep Elmazin, ngase Salvadori ishte ndarë më babanë kur i kishte tri vite.
“Rexhep Elmazi jetën e tij e ka kënduar”, ka thënë Salvador Elmazi.
Pjesë nga veprat e Rexhep Elmazit kanë deklamuar profesori Zejnullah Zejnullahu dhe Zanë Mali, kurse “Vjeshta Letrare e Gjilanit” do të vazhdojë me aktivitete të tjera. /kryelajmi.com/.