KRONIKË E ZEZË

Mashtroi qytetarët, i ngritet aktakuzë

 

Gjilan, 12 qershor 2024 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit D.A., për shkak të veprës penale ‘’Mashtrimi’’, nga neni 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

 

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se, i pandehuri D.A., që nga data 24 dhjetor 2023 deri më datë 28 mars 2024, në vazhdimësi,  në biznesin e tij të emërtuar, “Albshkolla”, në Gjilan, me anë të paraqitjes së fakteve të rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, i ka vënë në lajthim të dëmtuarit I.K, L.H., V.M., F.O., J.S., Y.B., A.V., M.A., R.A., N.S., A.R., duke i mashtruar dhe nxitur që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që i njëjti ka hapur një shkollë të rreme online të quajtur “Albshkolla”, duke punësuar të dëmtuarit si mësimdhënës dhe pozita të tjera, me të cilët ka nënshkruar kontrata me kohë të caktuar dhe ka premtuar paga nga 400 euro deri në 1,000 euro, ku të dëmtuarit, duke rënë pre e mashtrimit, kanë filluar punën, duke dhënë shërbim secili në pozitën dhe rolin e tij, mirëpo i njëjti për këto shërbime nuk i ka paguar.

 

Po ashtu i njëjti gjatë muajit shkurt 2024, nga e dëmtuara Y.B., ka marrë një pllakë të arit kinse për t’ia rregulluar, të cilën më nuk ia ka kthyer, e po ashtu përmes platformës së tij të rreme ka nxitur persona të tjerë të paguajnë shumën prej 12 euro, në llogarinë e tij ‘’Albshkolla’’ për shërbime online, e që ky shërbim nuk iu ishte ofruar asnjëherë.

 

Për këto veprime, i pandehuri D.A., ka kryer veprën e sipërshënuar penale, për të cilën me kërkesë të prokurorisë gjendet nën masën e paraburgimit.

 

You Might Also Like