KPF nuk rekomandon për Kuvend raportin gjashtëmujor të kryetarit, raportin financiar janar-qershor dhe projekt-propozimin e buxhetit për vitin fiskal 2025
Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, pas një debati polarizues pozitë-opozitë, në mbledhjen e sotme, nuk ka rekomanduar për seancën e radhës të Kuvendit Komunal të Gjilanit raportin gjashtëmujor të kryetarit Alban Hyseni për periudhën janar – qershor 2024, raportin financiar janar – qershor 2024 dhe projekt – propozimin e buxhetit për vitin fiskal 2025 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2026 – 2027.
Në këtë rast, partitë opozitare (LDK-AAK-Vatra), të cilat votuan kundër, janë arsyetuar se raporti gjashtëmujor i kryetarit dhe raporti financiar tashmë janë jorelevante e post-festum, meqë po përfundon 9-mujori i këtij viti, ndërsa për projekt – propozimin e buxhetit për vitin fiskal 2025, u tha se opozita është përjashtuar nga organizimi i dëgjimeve buxhetore.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, i cili ishte i pranishëm në KPF, ka thënë se arsyetimet e opozitës janë të paqëndrueshme dhe tendencioze. Ai tha se projekt propozimi i buxhetit është obligim ligjor që të shkojë për miratim në seancën e Kuvendit.
“Raportimi përmes dëgjimit publik me qytetarët dhe raportimi në Kuvendin Komunal, janë dy cështje të ndara, Është obligim imi me ligj që të raportojë edhe në dëgjim publik me qytetarët, e edhe në Kuvend, përndryshe penalizohemi nga grantet e performancës. Arsyetimi se keni qenë të përjashtuar nga dëgjimet buxhetore nuk qëndron sepse materialet dhe orarin e keni marrë me kohë. Raportet janë gjithmonë post-festum sepse nuk mund të raportojmë pa përfunduar 6-mujori”, ka thënë kryetari Hyseni, të cilin e ka mbështetur edhe shefja e Grupit të Këshilltarëve të VV-së, Krenare Latifi Kqiku.
Ndërkohë, Kuvendi ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend raportin i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2024, vlerësimin e rreziqeve nga fatkeqësistë natyrore dhe fatkeqësitë tjera për komunën e Gjilanit, projekt-rregulloren për ndarjen e bursave dhe diskutimin rreth ngritjes së kujdesit institucional për grupet e margjinalizuara.
Ndërkaq, në këtë mbledhje, KPF nuk ka rekomanduar për Kuvend kërkesën e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, për themelimin e Inkubatorit të Biznesit në një hapësirë prej 15 hektarësh
Raporti e votimit pro (VV-PDK-AAK) dhe kundër (LDK-Vatra) ishte i barabart (4 – 4) dhe në këtë rast kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu, ka shfrytëzuar të drejtën e votimit të dyfishtë për të mos e rekomanduar për Kuvend këtë kërkesë me arsyesimin se Komuna ka Inkubator të Biznesit.
“Ta dini të gjithë që ju që keni votuar kundër se flitet për një hapësirë 15 hektarëshe e për fonde të cilat i kemi të garantuara. Komuna me këtë rast po humbë projekt i cili gantaton zhillim të bizneseve, punësim e përgatitjen e të rinjve për tregun e punës. Ju po e pengoni të ardhmen e fëmijëve të kësaj komune”, ka nënvizuar kreu i Komunës, Alban Hyseni.
Ndërkohë, në mungesë të raporteve përmbledhëse, KPF ka shtyrë për një mbledhje tjetër Raportin e punës së Ndërmarrjeve Publike Lokale: “Stacioni i Autobusëve”, “Tregu” dhe “Ecohigjiena”,, sikurse edhe Raportin për përfundimin e gjysmë-vjetorit të dytë shkollor 2023-2024, ndërkaq për pikat tjera u tha se janë të panevojshme për të qenë pjesë e diskutimeve në Kuvend. KPF, në fund, nuk ka rekomanduar për Kuvend as kërkesën e VV-së për bartjen e 2.5 milionë eurove.