Amar Limoni, një 14-vjeçar i talentuar, po tregon çdo ditë se është një yll i ardhshëm në botën e arteve marciale, veçanërisht në Kickbox. Edhe pse ende i ri, ai ka arritur të dëshmojë pasionin dhe dedikimin e tij ndaj këtij sporti të vështirë, dhe po zhvillon një karrierë që premton shumë sukses.
Që prej një viti, Amar ka nisur stërvitjen në Klubin “Comando MM”, nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur, Gramos Klaiqi. Ky klub ka më shumë se 100 nxënës, të cilët stërviten me ushtrime të vështira dhe sfiduese, për të arritur një nivel të lartë të aftësive luftarake. Amar ka qenë i përkushtuar në këto trajnime dhe tani konsiderohet si një sportist i vërtetë, i gatshëm për të konkurruar në arenën ndërkombëtare të Kik-Boksit.
“Jam i dashuruar me sportet luftarake. Ky sport më flenë në shpirt, pasi është një sport shumë sfidues dhe unë dua gjithmonë sfida në jetën time. Të gjitha arritjet e mia deri tani janë për trajnerin tim, Gramos Klaiqi, i cili na ka mësuar çdo sekret të këtij sporti me shumë dashuri,” tha Amar, duke falenderuar trajnerin për përkushtimin e tij.
Klubi “Comando MM” është më shumë se një vend trajnimi; është një familje ku të gjithë janë të barabartë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin për të përballuar sfidat e stërvitjes në kushte ekstreme. Amar thotë se ushtrimet i ndihmojnë për të forcuar trupin, rezistencën dhe aftësitë teknike, duke u bërë gjithnjë e më i fortë për çdo konkurrencë.
“Ne ndihmojmë njëri-tjetrin si një familje. Ushtrimet tona janë të vështira, por çdo hap përpara është një arritje. Do të vazhdoj të rritem dhe të arrij më shumë,” shtoi Amar. Të ardhmen e tij, 14-vjeçari e sheh me ambicie. Ai ka thënë se synon të sprovon veten në ringjet e arenave ndërkombëtare të Kik-Boksit dhe ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë në turne dhe kupa ndërkombëtare, me një fokus të veçantë në turneun e ardhshëm në Tiranë.
Trajneri Gramos Klaiqi ka shumë besim në potencialin e Amarit:
“Kemi të bëjmë me një garues të madh dhe një talent të jashtëzakonshëm. Amar është një punëtor i madh dhe shumë i disiplinuar. Po përgatitemi për suksesin e tij të ardhshëm,” tha ai. Me pasion dhe angazhim të madh, Amar Limoni është një shembull frymëzimi për të rinjtë dhe një sportist që premton shumë në botën e arteve luftarake.