Dy kërkesat e Komunës së Gjilanit për shpronësimin e parcelave, janë miratuar nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 238 të saj.
Me këtë Komuna e Gjilanit për herë të parë, blen toka nga Agjencia e Privatizimit të Kosovës.
Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, tha se Qeveria e Kosovës, me kërkesë të Komunës së Gjilanit, ka miratuar unanimisht shpronësimin e dy parcelave.
Ai tregoi se prona e çerdhes “Integj” (9,020 metra katrorë), si dhe prona ku ndodhen stadiumi i KF Studentit dhe varrezat e fshatit në Dobërçan (112,401 metra katrorë), do të kalojnë në pronësi komunale të Gjilanit.
“Për herë të parë, komuna blen toka nga AKP-ja. Pronat komunale po shtohen, ndërsa borxhi publik është më i ulët se kurrë më parë”, tha kryetari Alban Hyseni.