Nëse jeni adhurues i natyrës, ajrit të pastër, bukurisë së natyrës, pushimit nën cicërimën e zogjeve, artefakteve të vjetra e ushqimit të mirë, i tëri bio, ka një zgjidhje. Gjithë këtë e ofron “Vërbica Agroturizëm”, kompleks ky që gjendet jo fort larg Gjilanit, saktësisht afër fshatit Verbicë në Malësinë e Zhegocit.
I ndërtuar me një shije të veçantë në formë rrethore, me mure të bëra me llaq të përzier me kashtë e me mbulojë prej dheu, restoranti ofron një pamje të veçantë, derisa brendinë e hijeshojnë shumë punime të bëra nga gratë punëtore të këtyre anëve, ku nuk mungojnë as artefakte të shumta si enë e pajisje kuzhine, mjete që dikur përdoreshin në dhomat shqiptare, zbukurime të ndryshme e çka jo tjetër.
Jashtë restorantit kosha të vjetër, objekte të shndërruara në muze, ferma shpezësh e objekte përcjellëse zgjojnë kërshërinë e vizitorëve e aty është edhe bujtina për mysafirë që së paku dëshirojnë të kalojnë ndonjë mbrëmje në këtë ambient të mrekullueshëm.
Islam Rashiti kaherë kishte pasur idenë që të bëjë një restorant me prodhime bio dhe këtë e kishte bërë realitet bashkë me Albin Hasanin, duke u ofruar mundësi të gjithë fermerëve që merren me bujqësi dhe blegtori të mund t’i sjellin prodhimet e tyre në restorant.
Tashti, kur restoranti ishte hapur, rreth 20 fermerë që merren me bujqësi e blegtori në këtë vend sjellin prodhime të freskëta, të cilat më pas u ofrohen konsumatorëve.
Rashiti e Hasani, theksojnë se kishin parë potencialin që ka kjo anë e ky fshat, si mish edhi, qengji e viçi, mish shpezësh, prodhime të tjera perime e pemë dhe restoranti me prodhime bio u bë realitet.
“Objekti në të cilin funksionon restoranti është i stilit të vjetër, i krijuar me idenë e pronarëve e të cilin e ka realizuar arkitekti. Muret e këtij restoranti janë bërë me llaç e me kashtë, derisa e tërë çatia e këtij restoranti është e mbuluar me dhe. Në rajon nuk ka një objekt të tillë. Në fillim ishte punë e vështirë për ata që e kanë punuar këtë objekt, mirëpo ai doli të jetë shumë i mirë”, thekson njëri nga pronarët, Islam Rashiti, që shton se ky restorant ofron ushqime tradicionale bio, derisa vizitori ka mundësi t’i shoh edhe eksponatet e vjetra dhe që të mësojnë se si në të kaluarën fshatarët janë shërbyer me këto mjete.
“Të gjithë fermerët që merren me blegtori në këtë fshat si mishin, gjizën, qumështin, pulat e fshatit dhe prodhimet e tjera mund t’i sjellin dhe ka marrëveshje që ato produkte të sillen në restorant. Fermerëve u krijohen lehtësi, ngase ata në të kaluarën duhej që prodhimet e tyre t’i bartnin në tregje të ndryshme e që tash e kanë të garantuar se prodhimet e tyre do të mund t’i plasojnë e t’i shesin”, thekson Ismajl Rashiti.
Në kompleksin “Vërbica Agroturizëm” dhe restorantin e këndshëm që ofron mundësi për relaks, qetësi nga jeta urbane dhe ajër të pastër, ku çdo cep të kujton të kaluarën tonë, ofrohen të gjitha produktet tradicionale, si mish, pula fshati, pite, lakrorë, pogaçe, lëng, ajvar e një varg produktesh sezonale që servohen në çdo kohë.
Pronarët bujarë dhe zemërhapur theksojnë se klientët janë të kënaqur, ngase në këtë restorant mund të hanë produkte bio që në vende të tjera nuk ekzistojnë.
Tashti, afër restorantit është edhe bujtina për mysafirë, gjë e cila është edhe një mundësi shtesë, ngase gjatë ditës mysafirët kanë mundësi të shijojnë natyrën e mrekullueshme e natën t’a kalojnë në një ambient të veçantë.
Me ardhjen e pranverës pritet të nisin edhe të mbjellat pranverore dhe të gjitha perimet si qepët, hudhrat, trangujt e perime të tjera do të jenë nga këtu, nga ky vend i mbushur me plot shtigje për shëtitje, pas të cilave në restorant do të drekohet pa i penguar askush.
Ismajl Rashiti e Albin Hasani kanë gjetur një mundësi të mrekullueshme për të zhvilluar biznesin e tyre, andaj ata porosisin se edhe në vendin tonë ka hapësirë për biznes, punësim e fitim se edhe këtu ka perspektivë më të mirë se sa të mësyhet kurbeti, ku njeriu është larg familjes, bashkëfshatarëve e vendlindjes. /kryelajmi.com/.