
Kapiteni i skuadrës Edison Kqiku është shfaqur në konferencën për media në prag të sfidës së radhës kampionale ndaj Prishtinës, derisa është shprehur optimist që grupi do të rikthehet në ecurinë të cilën e kishin nisur në pranverë.
Kqiku potencoi se skuadra është mirë në aspektin mental dhe fizik, pavarësisht ngarkesave të ndeshjeve të cilat janë të shpeshta në këtë fazë garash.
“Jemi të përgatitur për këtë ndeshje, sikurse në aspektin fizik, po ashtu edhe në aspektin psiçik. Ndeshjen e kaluar do e lëmë prapa dhe do të fokusohemi të japim maksimumin për sfidën e radhës të cilën duam ta fitojmë”.
Anësori i krahut ka folur edhe për ndeshjen e kaluar ndaj Malishevës, të cilën tashmë veçse e kanë lënë prapa.
“Jemi të vetëdishëm për gabimet të cilat i kemi bërë. Na ka kushtuar mos përqendrimi, pasi që kundërshtari nuk na dominoi. Ne e vuajmë këtë pjesë dhe mundohemi që të rikuperojmë atë të cilën e kemi bërë”.
Skuadra është më se e bashkuar dhe se pritet reflektimi për ndeshjen e radhës ndaj Prishtinës, duke dhënë gjithësecili gjithçka nga vetja.
“Atmosfera brenda grupit është shumë e mirë. Ne jemi si familje. Mbështesim gjithsecilin që nuk është në ditën e tij më të mirë dhe kjo na bën më të dalluar si grup. Do të japim gjithçka nga vetja deri në fund për të arritur objektivat e klubit”.
Ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 14:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan.