Riad Rashiti, kryetar i Degës së PDK-së në Gjilan ka dalë me një postim:
Qytetarët e Dardanisë sot po përballen me një realitet absurd dhe të papranueshëm, po u mohohen të gjitha shërbimet komunale nga institucionet e Gjilanit, me arsyetimin se “tashmë i takojnë komunës së Novobërdës”, si pasojë e vendimit për decentralizim.
Asnjë institucion i komunës së Gjilanit nuk ka të drejtë t’u mbyllë dyert qytetarëve të vet.
Ky është jo vetëm një dështim i qeverisjes komunale, por edhe një pasojë e heshtjes së qëllimshme të qeverisë së Albin Kurtit, e cila po e zbaton këtë politikë në dëm të qytetarëve të këtij qyteti.
Ata që dikur protestonin kundër decentralizimit, bënin peticione dhe i kallnin institucionet e Kosovës, sot po e zbatojnë me lehtësi këtë projekt sepse janë pjesë e pushtetit lokal dhe qendror dhe kanë zgjedhur të heshtin, sepse kolltuku ua ka shuar ndërgjegjen. Kjo është tradhti morale dhe politike ndaj qytetarëve të Gjilanit.
Ne zotohem se prej tetorit, do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të rikthyer integritetin territorial dhe funksional të lagjes Dardania brenda komunës së Gjilanit dhe për të garantuar që çdo qytetar, pa dallim, të ketë të drejtën e pakushtëzuar për të marrë shërbime nga komuna e Gjilanit.
Gjilani meriton një qeverisje që i mbron njerëzit, jo që i braktis ata.
Lagja Dardania nuk do të mbetet jashtë vëmendjes dhe qeverisjes së Gjilanit, ajo do të jetë pjesë e zgjidhjes, jo e një problemi që ka shqetësuar mijëra banorë, nga frika se edhe fëmijët e tyre do të detyrohen të shkojnë në shkollën e Pasjakut si pjesa më e afërt në komunën e Novobërdës. Mos ja u ndani shtëpitë me Novobërdë e oborret me Gjilan. Dilni e komunikoni me qytetarët që po ndihen të shqetësuar, tradhtuar dhe braktisur.