Sportet me dorë

Ish-lojtari i KV Drita, Erion Bajrami po shkëlqen në Bullgari

Volejbollisti i talentuar kosovar, Erion Bajrami, ish-lojtar i KV Drita dhe KV Peja, ka bërë hapin e madh në karrierë duke u transferuar në elitën e volejbollit bullgar, ku tashmë është pjesë e klubit prestigjioz Deya Sport Burgas.
Bajrami është i vetmi kosovar që luan për këtë skuadër, dhe tashmë ka fituar simpatinë e stafit teknik me paraqitjet e tij mbresëlënëse.
Në fitoren e fundit të Deya Sport ndaj skuadrës Denav, Erioni shkëlqeu me 35 pikë, duke u shpallur lojtari më i dalluar i ndeshjes dhe një nga më meritorët për suksesin e ekipit.
Në një prononcim për faqen e Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bajrami u shpreh:
“Unë si lojtar i klubit DEYA VOLLEY jam shumë i lumtur që kam zgjedhur këtë ekip, dhe jam me fat që luaj me vëllezërit Bratoev. Me ndihmën e tyre shpresojmë që do të kemi shumë suksese.”
Ai gjithashtu nuk i harroi njerëzit që e ndihmuan në rrugëtimin e tij drejt majave, duke falënderuar trajnerët Fatlum Hajrizi dhe Albin Rexhepi për mbështetjen dhe formimin e tij sportiv.
Federata e Volejbollit e Kosovës i uron Erion Bajramit shumë suksese në aventurën e tij ndërkombëtare dhe përfaqësim sa më dinjitoz të volejbollit kosovar në arenën evropiane.

You Might Also Like