Babanë e kishte patur ushtar të KFOR-it në Kosovë e Ramoni, një mesoburrë që kishte kaluar të tridhjetat, zyrtar i lartë në Novohotel Center në Madrid me kërshëri kishte pritur ardhjen e ekipit të Dritës, klub futbolli nga Kosova në hotelin ku punonte ai.
Drita do të përballej me Rayo Vallecano në kuadër të Europa Conference League në Madrid e Ramoni, dëshironte që të befasonte babanë e tij ish-ushtar i KFOR-it në Kosovë.
Teksa po bisedonim me Adenis Halitin, ish-nxënës i imi në vitet nëntëdhjeta e tashti zyrtar në FC Drita, Ramoni i afrohet atij dhe i drejtohet me fjalët: „Babai im moti kohë përpara ka qenë ushtar në Kosovë“ dhe të dy të habitur nga kjo kohë e pyetëm: „Sa kohë?“, pa pandehur se ishin bërë 26 vite e ne pikërisht po flisnim kur unë isha mësimdhënës i Adenisit e ai nxënës në shkollë të mesme.
Ramon kishte dëshirë që disi të sigurojë një fanellë të FC Drita për të befasuar babanë e tij, por ndeshje nuk ishte zhvilluar ende, andaj Adenisi me mirësi i premtoi se sapo të përfundojë ndeshja do të mbajë premtimin e dhënë.
Diku kah mesnata e të enjtes, Ramoni kishte qëndruar në hotel dhe kishte pritur kthimin e FC Drita nga ndeshja për të marrë fanellën e dëshiruar.
Adenisi e mbajti premtimin dhe bashkë me Ramonin bënë një foto të përbashkët si kujtim. /kryelajmi.com/.




