ZGJEDHJET 2025

Gjilani nuk leshon pe, për siguri dhe begati

Në tubimin e zjarrtë në Gjilan, salla ishte e stërmbushur, por atmosfera e jashtëzakonshme zgjatohej edhe jashtë, sepse salla nuk ishte mjaftueshem e madhe për të mbajtur gjithë këtë mobilizim dhe entuziazëm qytetar.
Hapjen e këtij tubimi e bëri Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni i cili tha se me Qeverinë Kurti, Gjilani dhe Anamorava kanë marrë vëmendjen që u takon dhe e meritojnë.
“Vetëm tani që po flasim, ne po punojmë në 11 projekte vlera totale e të cilave e kalon 80 milionëshin dhe pjesa dërmuese e këtyre projekteve financohen nga Qeveria e Kosovës”, theksoi Alban Hyseni.
Në fjalën e tij përballë qytetarëve të Gjilanit, kryeministri Albin Kurti tha se rritja ekonomike në Kosovë ka qenë mesatarisht 6% në vit dhe për çdo vit Bruto Produktit Vendor dhe ekonomisë sonë i është shtuar nga 1 miliardë euro, kur pararendësve tanë u duheshin 3 vite për 1 miliardë – e kjo na bën 3 herë më të shpejtë se ata.
“Kemi patur dyfishim të qarkullimit të biznesit në sektorin privat, nga 12,5 miliardë në vitin 2019 në 25 miliardë sivjet. Po ashtu, sivjet bizneset private kanë patur fitim prej 2,3 miliardë euro, e para qeverisjes sonë kurrë bizneset nuk i kanë prekur 900 milionë euro fitim”, tha kryeministri Kurti, duke sjellë në vëmendje rritjen e ekonomisë së Kosovë në këto vite të qeverisjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Një tjetër çështje që përmendi kryeministri Albin Kurti ishte edhe ajo e 11 terminaleve të Kosovës, 10 prej të cilave të privatizuara më herët. Në lidhje me këtë shtoi:”Sot që po flasim 8 terminale doganore i përkasin shtetit dhe ato 3 që kanë mbetur te privati krejt kthehen në pranverën e vitit 2026, bëhen publike”.
“Listën e barnave esenciale e kemi gjetur 24 milionë euro, e kemi ngritur në 63 milionë dhe do të shkojë në së paku 100 milionë euro, që janë mbi 83% e barmave që i paguajnë qytetarët e Republikës së Kosoves në vit”, tha në vijim kryeministri Kurti.
Ai foli edhe rreth Spitalit të Gjilanit, ku janë ndarë 8 milionë euro investime për transformimin e Repartit të Kirurgjisë, Gjinekologjisë, Emergjencës dhe Intensives, me një aneks të ri që do të ndërtohet për radiologji, me aparatura të reja e bashkëkohore.
Më pas kryeministri Albin Kurti foli për problemet me furnizimin me energjinë elektrike: “Ato nuk kanë të bëjne me gjenerimin, nuk kanë të bëjnë me KEK-un, por me operatorët e shpërndarjes e të transmisionit, gjendje të cilën e kemi trashëguar prej atyre që shisnin më lirë se badihava dhe privatizonin edhe shpërndarjen dhe furnizimin. Por do ta kalojmë edhe këtë vështirësi.”
“Mandati i ri do të jetë gjithashtu edhe mandat i kapaciteteve të reja energjitike. Do të kemi edhe gjenerim nga burimet e ripërtërishme të energjisë, që do të shtohen 126% të burimeve me erë dhe më shumë se 8-fish fotovoltaike me diell. Do të bëjmë edhe ndërtimin e kapaciteteve bashkë edhe me Shqiperinë dhe bateritë të cilat tashmë i kemi marrë nga ShBA-ja, me programin e Sfidës së Mijëvjeçarit”, shtoi ai.
Më tutje, kryeministri Kurti foli rreth investimeve të bëra në mbrojtje, duke nënvizuar se tash janë mbi 40 sisteme të armatimit që i zotëron Republika e Kosoves e në mesin e tyre janë 3 lloj fluturakesh luftarake pa pilot, dronat “Puma” nga ShBA-ja, dronat “TB2 Bajraktar” dhe dronat “Skydagger” nga Turqia. Ai shtoi se lloji i katërt i dronave do të jetë “Made in Kosova”, nga fabrika e prodhimit të dronave të cilën do ta kemi.
Në përfundim të këtij tubimi madhështor me qytetaret e Gjilanit, kryeministri Albin Kurti bëri thirrje që më 28 dhjetor të votohet masivisht dhe të votohet herët në mëngjes. “Mbështetja më 28 dhjetor duhet të jetë doemos më e madhe se më 9 shkurt, se nuk po mjafton që të fitojmë. Duhet të fitojmë shumë, që të fitojmë”, tha në fund kryeministri Kurti.

You Might Also Like