Java e Frankofonisë, e cila për çdo vit organizohet në Kosovë, sivjet në edicionin e njëzetegjashtë të saj do të mbahet në dy qytete të Anamoravës, në Gjilan dhe në Viti.
Përfaqësues nga Ambasada e Francës në Kosovë, këtë të hënë fillimisht kanë mbajtur një takim me zyrtarë të kulturës në Gjilan, me udhëheqësit e Teatrit të Gjilanit, më pas takuan profesorë të Gjuhës e Letërsisë Frënge dhe për të vazhduar më pas me takimet në Viti.
Edouard Mayoral, këshilltar për bashkëpunim dhe veprimtari kulturore në Ambasadën e Francës, Valon Ibraj, atashe për kulturë, Fikrije Pllashniku – Tetaj, sekretare e përgjithshme në Departamentin për Bashkëpunim dhe Veprimtari Kulturore dhe Emma Poette, praktikante – asistente kanë patur një takim me profesorët e gjuhës frënge Venhar Haziri, Sami Selishta, Tahir Dalipi, Rabit Miftari dhe Enver Sadiku, këta tre të fundit edhe këshilltarë të karrierës me të cilët kanë biseduar për koordinimin e punëve para mbajtjes së kësaj ngjarje kulturore, e cila do të mbahet nga datat 23 deri më 30 mars në bashkëpunim me mësimdhënësit e ku do të përfshihen edhe nxënësit që mësojnë gjuhën frënge, të cilët së bashku do të përgatisin një spektakël me aktivitete muzikore, pjesë të shkurtra teatrale të krijuara nga këta të fundit që lidhen me dhjetë fjalët e përzgjedhura këtë vit për frankofoninë e i cili parashihet të mbahet më 25 mars. Në këtë ngjarje të madhe kulturore do të ketë edhe ekspozitë të artit pamor, spektakël muzikor me një kitarist të njohur nga Franca dhe muzikanten Besa Llugiqi. Ndër të tjera, në Galerinë e Qytetit është paraparë të ekspozohen mbi 30 fotografi me temë nga biodiversiteti të bëra në rrethin e Prizrenit dhe në Shqipëri, do të ketë aktivitete me nxënës në Shkollën e Muzikës në Gjilan, pjesë muzikore, pjesë gjuhësore e teatrale dhe aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me gjuhën frënge.
Për nxënësit e shkollës profesionale të agrobiznesit do të ketë edhe një trajnim në përgatitjen e koktejeve, ku do të merr pjesë një specialist nga Franca dhe shumë aktivitete të tjera që i ka paraparë organizatori.
Hapja e Javës së Frankofonisë do të bëhet më datë 23 në Prishtinë, kurse nga dita e nesërme aktivitetet do të vazhdojnë në Gjilan e Viti.
Temë e pashmangshme e këtij takimi ishte edhe mësimi i gjuhës frënge nëpër shkollat tona dhe forcimin e saj në Gjilan, sikurse edhe mundësinë e rritjes së përfshirjes së saj në sistemin shkollor qoftë si lëndë e rregullt apo si lëndë zgjedhore, aq më tepër që Kosova mëton të futet në Organizatën e Frankofonisë, gjë e cila është shumë me rëndësi për vendin tonë./kryelajmi.com/.





