Sot, në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt një organizim solemn me rastin e pensionimit të Prof. Dr. Naim Mustafës, njërit nga profesorët me kontribut të veçantë në zhvillimin akademik, shkencor dhe institucional të universitetit. Në këtë ceremoni morën pjesë drejtuesit e universitetit, stafi akademik dhe administrativ, studentë, si dhe familjarë të profesorit.
Me këtë rast, në fjalën hapëse të këtij organizimi, Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Xhevat Sopi, vlerësoi lart rrugëtimin profesional të Prof. Dr. Naim Mustafës, duke theksuar se ai është shembull i përkushtimit akademik dhe seriozitetit profesional, i cili ka kaluar me sukses të gjitha etapat e karrierës universitare, nga ligjërues e profesor asistent, deri në Profesor të rregullt. Dekani Sopi theksoi kontributin e tij shumëvjeçar në mësimdhënie, zhvillimin e programeve studimore, proceset e akreditimit dhe riakreditimit, si dhe në kërkimin shkencor dhe botimet akademike.
Në këtë organizim solemn, fjalim mbajti edhe Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, i cili në emër të institucionit shprehu mirënjohje të thellë dhe respekt të veçantë akademik për kontributin shumëdimensional të Prof. Dr. Naim Mustafës. Rektori theksoi se Prof. Dr. Mustafa përfaqëson një profil të plotë akademik, i cili universitetin e ka konceptuar jo vetëm si hapësirë të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, por edhe si institucion publik me mision shoqëror dhe shtetëror. Ai vlerësoi veçanërisht rolin e profesorit në qeverisjen universitare, si prorektor për Buxhet Financa dhe Infrastrukturë, në proceset e akreditimit institucional, si dhe realizimin e projekteve strategjike për zhvillimin afatgjatë të universitetit.
Fjalë falënderuese mbajti edhe vetë Prof. Dr. Naim Mustafa, i cili me emocione të veçanta shprehu mirënjohje të thellë për familjen e tij, duke e cilësuar atë si mbështetjen më të fortë gjatë gjithë rrugëtimit profesional. Ai falënderoi bashkëshorten për përkushtimin dhe mbështetjen e pandërprerë, fëmijët dhe familjet e tyre, si dhe nipërit e mbesat, të cilët i cilësoi si gëzim dhe forcë shpirtërore. Prof. Dr. Mustafa shprehu falënderime të veçanta për drejtuesit institucionalë, kolegët e Fakultetit Ekonomik dhe fakulteteve të tjera, personelin administrativ dhe studentët, duke theksuar se ata kanë qenë motivimi kryesor i angazhimit të tij në mësimdhënie.
Gjatë ceremonisë, urime dhe fjalë mirënjohjeje për Prof. Dr. Naim Mustafën shprehën edhe kolegët dhe stafi i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, të cilët vlerësuan kontributin e tij të çmuar, profesionalizmin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndër vite, duke i uruar pensionim të shëndetshëm.
Me emocione të veçanta, në emër të familjes, një fjalë falënderimi mbajti edhe vajza e profesorit, Bardha Mustafa, e cila shprehu mirënjohje për universitetin, kolegët dhe studentët për respektin, vlerësimin dhe përkrahjen e treguar ndaj babait të saj gjatë gjithë karrierës akademike, duke theksuar se këto vlerësime për familjen përbëjnë një nder dhe krenari të veçantë.
Në përmbyllje, u theksua se pensionimi i Prof. Dr. Naim Mustafës shënon përfundimin e një etape formale të angazhimit profesional, por jo edhe të lidhjes së tij me Universitetin Publik “Kadri Zeka”, ku ai do të mbetet gjithmonë pjesë e pandashme e familjes akademike. /2LONLINE/





