Futboll

Agim Ademi viziton në spital legjendën e futbollit gjilanas, Shemsedin Abazin

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar sot ish-futbollistin e njohur gjilanas, Shemsedin Abazin, i cili po trajtohet në Spitalin Rajonal të Gjilanit pas një rëndimi të gjendjes shëndetësore.
Në delegacionin e FFK-së, krahas kryetarit Ademi, ishin edhe Muharrem Sahiti, Abdyl Bellopoja dhe Armend Misini, të cilët u interesuan nga afër për ecurinë e mjekimit të Abazit.

Gjatë vizitës, kryetari Ademi shprehu keqardhjen për gjendjen e ish-futbollistit, por u zotua se federata do t’i qëndrojë pranë në çdo hap të procesit të shërimit.

“Na vjen keq për gjendjen e tij shëndetësore. Vizituam legjendën e futbollit gjilanas e kosovar, Shemsedin Abazin, duke i dëshiruar shërim të shpejtë. Me mundësitë tona, do t’i dalim në ndihmë në këto momente të vështira,” deklaroi Agim Ademi.
Nga ana tjetër, Shemsedin Abazi, i cili po tregon shenja përmirësimi pas disa ditësh trajtimi intensiv, u shpreh tejet i nderuar nga kjo vizitë e nivelit të lartë.

Abazi u shpreh: “Jam shumë i nderuar që kryetari Ademi me bashkëpunëtorë më vizituan. Ju jam mirënjohës; edhe një herë po dëshmohet se Ademi është njeri i sportit dhe gjithmonë pranë nevojave të futbollistëve.”

Shemsedin Abazi po merr trajtimin e duhur nga stafi mjekësor në Gjilan. Ndonëse situata fillestare ishte shqetësuese, mjekët raportojnë se gjendja e tij shëndetësore po shkon drejt stabilizimit të plotë.

You Might Also Like