ARSIMI

MËSIMDHËNËSI I PËRKORË ME PËRGATITJE TË GJERË PROFESIONALE

PËRKUJTIM
Prof. dr. Faik Shkodra – Prof. dr. Bahtijar Kryeziu

MËSIMDHËNËSI I PËRKORË ME PËRGATITJE TË GJERË PROFESIONALE

Në dyvjetorin e ndarjes nga kjo botë e kolegut dhe doajenit të arsimit – Prof-esor mr. Shefik Haliti
(Muhoc, 1942 – Gjilan, 2024)

Prof. Shefikun, ndonëse nuk është më në mesin tonë, kujtimi dhe kontributi i tij, dhënë në fushën e arsimit dhe edukimit të shumë brezave të rinj, e bëjnë të gjith¬monshëm, të gjallë, në mesin e të gjallëve. Ai, gati gjatë një gjysmë shekulli jete e pune, u shqua për njohuri e përgatitje të gjerë e të thellë profesionale të një mësimdhënësi të përkorë.

Profesionist i përkushtuar dhe ekspert i shquar

Falë këtyre vlerave, prof. Shefiku, në fushën e arsimit dëshmoi përvojën e një eksperti të rrallë dhe pikë-risht sukseset e përvi-juara në këtë fushë e bëjnë emër model e të veçantë në lëmin e arsimit kombëtar. Përkushtimi i prof. Shefik Halitit dallon, në rend të parë, për mësimdhënie cilësore, çiltërsi, organizim, planifikim dhe realizim të suksesshëm të misionit të tij të pavdirë. Si mësimdhënës dhe ligjërues, përherë demonstronte aftësi dhe dije të bollshme. Në ligjërata, në të cilat pak herë kemi marrë pjesë, ishte i qetë dhe i prajshëm në të folur. Ligjëratat gjithmonë i mbante duke qëndruar në këmbë, ashtu siç edhe e kërkojnë normat pedago-gjike, duke qëndruar afër tabelës së shkrimit, si Luli i Migjenit në këndin e rrezeve të diellit. Ligjëratat e tij përherë ishin të qarta e të kuptueshme për nxënësit e studentët. Këto tipare e veçori prof. Shefikun e bëjnë profesionist të përkushtuar dhe ekspert të shquar në përmbushjen e objektivave në mësimdhënie.

Kur kihen parasysh këto vlera sublime të tij, e që të mos ikin në harresë, i radhitëm këta pak rreshta, duke pasur parasysh një mendim e mësim (të kohës) të Ndue Dedajt, kur shprehej: “Askund të shquarit e kohës së vet nuk harrohen më lehtë se te ne”. Përmbajtja e pasur e ligjëratave, zbatimi i mjaftueshëm i metodave didaktike-pedagogjike dhe metodologjike në interpre-timin dhe trajtimin e për-mbajtjeve të temave; mënyra origjinale e ligjërimit, zbërthimi i komponentëve edukativo-arsimorë të njësisë mësimore, fjalësi i pasur i të shprehurit, të gjitha këto prof. Shefik Halitin e bëjnë njërin ndër pedagogët e profesorët e pëlqyer e të këndshëm, një figurë, emër e mësimdhënës të çmueshëm në fushën e arsimit e të edukimit të nxënësve e studentëve tanë. Prof. Shefiku dallohej edhe për faktin se kishte një kujtesë të jashtëzakonshme, afërsi e butësi komunikimi. Secilit bashkëbisedues i drejtohej me emër e mbie-mër, edhe kur e kërkonte rasti të bisedonte me nxënës e studentë.

Mendimet dhe vlerësimet e sipërthëna e bëjnë atë, jo vetëm një emër që do të kujtohet gjithmonshëm, por e bëjnë simbol të një pedagogu e metodisti të përgatitur, që diti të shpërndante dritë e kulturë te shumë breza nxënësish e studentësh. Besojmë se figura e prof. Shefikut, në kujtesën e brezave që u ligjëroi, do të kujtohet me respektin më të thellë, si nga brezat e sotëm të nxënësve e studentëve, ashtu edhe nga brezat që do të vijnë nesër. Këtë nderim, prof. Shefiku e meriton, ngase autoriteti i tij gjithnjë u ndërtua mbi sakrifica natyrash të ndryshme. Ai pati një mendje të kthjellët dhe një horizont të gjerë kulturor. Veproi e punoi sipas thënies kuptimplotë, “Sa më pak fjalë, e sa më shumë punë”, tamam siç qenë iluministët rilindës.

Nëse dikush nga brezi dhe gjenerata e prof. Shefik Halitit pati rrugëtim të suksesshëm, pa farë dyshimi është vetë prof. Shefiku, për të cilin respekti e mirënjohja mbeten të pafund. Mirënjohja dhe respekti mbeten përherë vlera të shquara të emrit e punës së tij. Nxënësit e studentët që kanë pasur rastin t’i dëgjojnë ligjëratat e mbajtura në shkollën normale “Skën-derbeu”, në Akademinë Pedagogjike, në Qendrën e Arsimit të Lartë, në SHLP “Skënderbeu” dhe në Fak-ultetin e Edukimit në Gjilan, me një admirim e respekt të veçantë e vlerësojnë për-gatitjen, seriozitetin, përkushtimin, zotimin dhe profesionalizmin e një ustai të rrallë në procesin e mësimdhënies, në të cilin rrezatonte urtësi, maturi, aftësi, dituri dhe profesio-nalizëm të nivelit të lartë të mësimdhënies.

Duke i pasur parasysh sukseset e rezultatet e prof. Shefik Halitit, të dëshmuara në procesin edukativo-mësimor mbi pesëdhjetë vjet, Ai do të kujtohet si pedagog, intelektual, vepri-mtar e profesionist i rrallë dhe shumë i veçantë, vlera e tipare këto që emrin, veprën, kontributin dhe tërë jetën e tij e portretizojnë si një personalitet të vlertë të arsimit shqiptar; e bëjnë njeri me integritet të spikatur ndër ne. Ndihemi të privi-legjuar që kemi punuar bashkë me prof. Shefikun më shumë se 30 vjet. Dhe në këto vite qemë profesorët e parë që e themeluam SHLP-në “Skënderbeu” në Gjilan, më 1976 dhe, nga ata pak profesorë, ndihmuam themelimin e Fakultetit të Edukimit – Qendra në Gjilan.

Krahas ligjërimit – edhe botime…

Krahas punës në procesin edukativo-arsimor, prof. Shefik Haliti, fushës së arsimit, ndihmesë të mirë i ka dhënë përmes punimeve e shkrimeve të botuara nëpër gazetat e revistat e kohës, të cilat temë qendrore kanë problemet e mësimdhënies dhe misionin e mësim-dhënësit në punën që bën me nxënës: 1. “Artikuj të përzgjedhur pedagogjikë”, “Ura”, Gjilan, 2003; “Doracak i mësimit praktik për studentë”, “Druckart”, Prishtinë, 2004; 2. “Zhvillimi i shkollave dhe arsimit në komunën e Gjilanit 1945-1980”, Prishtinë, 2004; 3. “Në kërkim të pedagogjisë reformuese”, ShB “Kurora”, Gjilan, 2007; 4. “Shkolla fillore “Migjeni” e Muhocit – 1945-2010” (monografi me bashka-utorë), ShB “Blendiˮ, Prishtinë, 2015; 5. “Shkolla normale “Skënderbeu” e Gjilanit, 1959 – 1974” (monografi me bashka-utorë), Prishtinë, 2016 etj., pa shtuar këtu edhe disa libra ku Ai ishte në cilësinë e recensuesit e të disa artikujve të botuar në revistën “Shkëndija”, si revista e vetme pedago-gjike-arsimore, që botohej atëbotë, udhëhequr për shumë vjet me shumë sukses nga publicisti, poeti e shkrimtari Sulejman Dër-maku. Në veprat e sipër-thëna, prof. Shefik Haliti ka trajtuar çështje e probleme të mprehta, që lidhen me punën praktike e teorike të studentëve, duke këshilluar që studentët duhet t’i për-gatisim, t’i aftësojmë e t’i mësojmë që gjatë mësimit praktik nëpër institucionet parashkollore dhe në ato shkollore, t’i përvetësojnë e t’i zbatojnë me sukses teknikat dhe format e mësimdhënies bashkë-kohore. Thënë figurshëm, Ai këshillonte që gjatë mësimit praktik studenti duhet të jetë një përthithës e sy, ndërsa mësuesi a edukatorja duhet të jenë dritat prej nga ka-mera dërgon mesazhet tek studenti. Prof. Shefik Haliti, në veprat e botuara vlerë-sonte, se: “Mësimi teorik, pa mësimin praktik, jo vetëm që është i verbët, por njëherazi është i pavlefshëm, i pane-vojshëm dhe paefektshëm” (Mr. Shefik Haliti, Doracak i mësimit praktik për stu-dentë, Parathënie, faqe 5).

Në librin tjetër “Artikuj të përzgjedhur pedagogjikë”, autori ka rrokur në trajtim një shumësi problemesh që lidhen me rolin dhe rëndë-sinë që duhet të ushtrojnë institucionet parashkollore në përgatitjen dhe aftësimin e fëmijëve për shkollë. Që në parathënie, për përmbajtjen dhe rolin e këtij libri, Ai shkruan: “Ky libër është me karakter shumëdimensional, pasi në vete përmban ele-mente të shkencës së peda/gogjisë, psikologjisë, didak-tikës, metodikës etj. Në radhë të parë u përkushtohet studentëve të shkollave të larta, të cilët kanë përgatitur dhe ende përgatisin kuadro për mësimdhënie në shkolla fillore.” Dhe, u mor vesh, thekson Shefiku, “Në këtë libër janë bërë disa përpjekje që të ofrohet e harmonizohet mësimi teorik me mësimin praktik, pasi është konstatim i përgjithshëm se për një kohë relativisht të gjatë, në praktikën tonë shkollore është favorizuar mësimi teorik në dëm të mësimit praktik, për ç’arsye mendoj se kanë munguar edhe rezultatet inkurajuese në punën dhe procesin edu-kativo-arsimor”(faqe 5).

Nga këto konstatime, vlerë-sime e gjykime del se prof. Shefik Haliti brenda teksteve të botuara shpërfaq dhe dëshmon përvojën e pasur dhe njohuritë e thella mbi problemet e fushës së arsi-mit, për çka edhe sugjeron që ndaj procesit edukativo-arsimor gjithmonë duhet të tregohemi shumë të përgje-gjshëm, të përkushtuar, duke zbatuar metodologji të reja – metodologji që sigurojnë suksese e rezultate në një shkallë sa më të lartë, si në mësimdhënie ashtu edhe në nxënie. Në monografinë “Shkolla fillore “Migjeniˮ e Muhocit, 1945 – 2010”, prof. Shefik Haliti ka dhënë ndihmesën e nevojshme në paraqitjen e të dhënave më të rëndësishme për veprim-tarinë, punën, sakrificat dhe vështirësitë me të cilat janë ndeshur mësimdhënësit në këtë vatër edukativo-arsi-more gjatë viteve të mje-gullta, që rëndonin mbi arsimin e shkollën shqipe, nga shtypja e regjimit serb dhe udbashët e armikut më të madh të shqiptarëve – Aleksandar Rankoviqi. Edhe në këto rrethana të rënda, siç shihet nga përmbajtja e monografisë, mësimdhë-nësit e ˮShkollës fillore “Migjeni” të Muhocit”, me një vetëdije të lartë atdhe-tare dhe nën ndikimin e frymës e idealeve të ilumi-nistëve rilindës, te nxënësit mbjellin frymën e dashurinë kombëtare e patriotike. Ata që u edukuan dhe u arsi-muan në këtë vatër të diturisë, me kalimin e viteve, arritën të bëheshin emra të ndritur e të nderuar në shumë degë e disiplina shkencore e profesione të rëndësishme, të cilët me punë të vyeshme kontri-buuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë në fusha të caktuara në Kosovë e hapë-sira të tjera shqiptare e më gjerë.

Këto të vërteta na nxisin të pohojmë se autorët e monografisë dhe vetë prof. Shefik Haliti, duke pasur përvojë të gjatë në procesin edukativo-arsimor, në një anë, dhe duke qenë edhe vetë nxënës të kësaj shkolle, kanë sjellë të dhëna e dësh-mime materiale të bollshme, me të cilat vërtetohen përpjekjet, përkushtimet, sakrificat, vullneti, idealet dhe synimet e ëndërruara të mësuesve e nxënësve për ta mbajtur të gjallë traditën dhe historinë e arsimit dhe të edukimit të fëmijëve në ˮShkollën fillore “Migjeniˮ të Muhocitˮ, komunë e Buja-nocit, ngjashëm me idealet e Veqilharxhit, Logorecit, Gurakuqit e iluministëve të tjerë të Rilindjes sonë, në tjetrën anë. Monografia ka rëndësi dhe vlerë të madhe, ngase institucioni shkollor në fjalë, mban emrin e kriju-esit e artistit të veçantë, mban emrin e simbolit që në letërsinë shqipe mund të renditet bashkë me emrat më të spikatur të shkrim-tarëve e poetëve të shquar, si: De Rada, Naimi, Noli, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Fishta, Poradeci, Agolli, e shumë e shumë artistë të tjerë të fjalës së bukur shqipe, sepse të gjithë emrat e theksuar qenë dhe mbeten ndërgjegje e fuqishme e kombit, zë i popullit dhe historisë, dhe krenaria e çështjes sonë kombëtare, në veçanti.

Të gjithë këta i lindi koha e kontradiktave të thella të shoqërisë shqiptare. Migjeni është poet me dendësi të jashtëzakonshme të mendi-meve, është poet i apoteozës së lirisë së mendimit të shqiptarit, është poet që këndoi për bijtë e shekullit të ri, poet që me kohë vlerësoi se një popull që është i paarsimuar, ai është pen-!gesë për zhvillimin e shoqë-risë e të kombit. Pikërisht për këtë arsye kërkon shkëput-jen prej primitivizmit dhe kërkon inkuadrimin e kombit shqiptar në përparimin e një shoqërie me vlera e standar-de moderne.

Betejë e ashpër për hapjen e Shkollës Normale

Prof. Shefik Haliti, si bash-kautor, ka dhënë kontribut të çmueshëm në botimin e monografisë “Shkolla normale “Skënderbeu” e Gjilanit (1959 – 1974)”. Çfarë rëndësie e rol të madh pati hapja e normales në Gjilan për veprimtarinë arsimore, edukative të nxënësve shqiptarë dhe si vatër që do të përgatisë mësues të kualifikuar, kjo shihet nga parathënia e librit, e hartuar me përkushtim e zell të madh. Autorët e monografisë në kuadër të temës bosht kanë rrokur në trajtim një sërë problemesh, faktorësh e dukurish që lidhen me themelimin e kësaj vatre.

Siç mund të shihet nga përmbajtja e monografisë, prof. Shefiku, me bashka-utorët e tjerë të librit, ka arritur t’i përfshijë e t’i trajtojë çështjet më të rëndësishme që lidhen me këtë institucion të arsimit e të edukimit të shumë brezave të mësuesve. Këto të dhëna janë ndriçuar, janë konkretizuar dhe janë ilustruar në mënyrë analitike e sintetizuese nëpër shkri-met që nuk janë dhënë në formë të kapitujve, por të titujve të punimeve kushtuar veprimtarisë së kësaj vatre të arsimit. Siç shihet nga monografia, rruga deri te hapja e Shkollës Normale nuk ka qenë aspak e lehtë. Mirëpo, falë idealeve, guximit e mençurisë së mësimdhë-nësve shqiptarë të kësaj shkolle, ndër të cilët duhet përmendur drejtori Mehmet Surdulli, prof. Tefik Geci e prof. Selmon Vokshi, të cilët në çastet më të duhura kanë ditur t’u kundërvihen kun-dërshtarëve serbë, që me të gjitha mjetet mundoheshin të pengonin hapjen e Nor-males, ndërkaq mësimdhë-nësit shqiptarë ishin të vendosur në kërkim të lirisë, të lëvizjes dhe të shprehjes së identitetit kombëtar.

Mësimdhënësit shqiptare të Shkollës Normale, si një trup i vetëm kanë ditur të japin ndihmesën e nevojshme për hapjen e kësaj vatre arsi-more. Por prijës dhe loko-motivë e vërtetë e hapjes së shkollës ishte drejtori i saj, Mehmet Surdulli, i cili, sipas dokumenteve ekzistuese, ka bërë betejë të ashpër me mësimdhënësit e nacio-nalitetit serb, të cilët, të verbuar nga shovinizmi ekstrem, hapjen e normales e shihnin si rrezik për të ardhmen e serbëve. Sigu-risht, Mehmet Surdulli e kishte të qartë të vërtetën se fatbardhësia e një intelek-tuali dhe një profesori, ndodh atëherë kur i shërben mirë popullit dhe shkollimit të fëmijëve të vet.

Nga monografia “Shkolla normale ˮSkënderbeuˮ e Gjilanit” (2016) lexuesi mëson edhe emrat e mësim-dhënësve që punuan në këtë institucion arsimor, të cilët edhe i takojnë plejadës së mësimdhënësve më të shquar të arsimit tonë kombëtar.

Mësimdhënësit që punuan në shkollën normale “Skën-derbeu” të Gjilanit, qenë individualitete të veçanta, qenë idealistë të palodh-shëm dhe kurdoherë qenë të gatshëm për sakrifica, “sepse qenë të pathyeshëm në realizimin e qëllimeve për arsimimin dhe edukimin e nxënësve shqiptarë. Pikë-risht duke pasur një moral të lartë për t’i siguruar popullit arsimimin në gjuhën amtare, ata do të digjen si qiriu i Naimit, duke përhapur dritën e diturisë – dritë kjo me të cilën do të shpërndahet terri i paditurisë dhe mund të sigurohej ruajtja e identitetit të etnisë kombëtare”.

Personaliteti i tij duhet parë edhe nga veprat e shkruara me karakter pedagogjik-didaktik, në të cilat ka he-dhur dritë për çështje e probleme që kanë të bëjnë me fushën e mësimdhënies, asaj mësimdhënieje që, sipas tij, duhet të ecën mbarë në të gjitha fazat e zhvillimit e të përparimit sa më bashkëkohor. Prandaj, këto zotime dëshmojnë në mënyrën më të mirë se prof. Shefik Haliti duhet të kujtohet edhe si njëri prej emrave emblematikë të fushës së arsimit kombëtar. Në librat studimorë, prof. Shefiku ka paraqitur referenca të konsideru-eshme nga studiues, pedagogë, metodistë, autorë të didaktikave të ndryshme, të cilët kishin kontribuuar për vlerësimin profesional-shkencor në mësimdhënie e nxënie. Prof. Shefiku një kohë të mirë e kalonte mes njerëzve, mësuesve e studentëve. S’ka dyshim se edhe në librat e botuar Ai dëshmohet një didakt e pedagog që tërë jetën punoi me objektiva të caktuar, duke krijuar kështu një shumësi praktikash në fushën e mësimdhënies. Prandaj, nuk është e rastit që prof. Shefiku shkollës sonë i solli një sërë studimesh me vlera praktike e shkencore.
Këto të vërteta bëhen të kohshme kur t’i shtojmë të dhënën se Ai qe mësues i mësuesve shqiptarë këtu në Kosovë e më gjerë.

Intelektual dijeplotë, pedagog e prind shembullor

Duke shkruar këtë përkujtim për kolegun e pedagogun e spikatur gjithnjë e më shumë na zgjohen kujtimet, kujtime këto që shpërfaqin realitetin e kohës, kujtime që do të ngelin të pashlyeshme në kujtesën e qindra nxënësve, studentëve, mësuesve, intelektualëve e kolegëve të tij. Natyrisht, kur shkruajmë për njerëz të shquar fushash e profesionesh të caktuara, gjithmonë duhet të kujtojmë fjalët e Niçes së veçantë, kur pati shprehur mendimin: ”Me të drejtë thuhet që një popull karakterizohet jo aq fort nga njerëzit e tij të mëdhenj, sesa nga ajo se si sillet ai ndaj tyre.” Këto mendime të Niçes na vënë në dijeni se njerëzit e shquar përherë duhet t’i respektojmë, t’i kujtojmë e t’i nderojmë. Këto detyrime bëhen më të domosdoshme kur kihet parasysh e vërteta se prof. Shefik Haliti te nxënësit e studentët gjithmonë ofroi komunikim të këndshëm, dashuri prindërore e edukative, ofroi ngrohtësi shpirtë¬rore. Këto cilësi e tipare prof. Shefik Halitin e bëjnë të paharruar edhe për cilësinë e ligjëratave, udhëheqjen e diplomave, këshillat dhe mendimet racionale që u përçonte nxënësve e studentëve nëpër auditorë.

Veprimtaria e pasur mbi 50-vjeçare e prof. Shefik Halitit dhe tiparet e tij prej një inte-lektuali dijeplotë e të një pedagogu shembullor, duhen parë edhe në rrafshin e qëndrimit të tij ndaj poli-tikës e regjimit shtypës të pushtuesit serb – veçanë-risht gjatë viteve të regjimit kriminal e barbar të Milo-sheviqit. Këtë qëndrim të prof. Shefikut dhe kolegëve të tij, jo të gjithëve, e shohim në vitin 1997, kur i tërë Uni-versiteti i Prishtinës, në kuadër të të cilit ishin dhe SHLP-të, me 1 tetor organi-
zoi protesta në mbrojtje të Universitetit dhe të shkollës shqipe, në krye të të cilit ishte i jashtëzakonshmi rek-tor i atyre viteve, prof. dr. Ejup Statovci. Edhe prof. Shefiku në këto protesta dëshmoi guximin e ndërgje-gjen e lartë kombëtare, duke u vënë në rreshtin e parë të studentëve, bashkë me prof. Xhevat Ismajlin dhe autorët e këtyre rreshtave, natyrisht, pa anashkaluar as profe-sorët e tjerë: prof. dr. Sabri Tahiri, prof. dr. Minevere Rashiti, mr. Skënder Sylaj.

Prof. Shefik Halitin e gëzonin sukseset dhe rezultatet, si të studentëve, ashtu edhe të mësimdhënësve. Po i për-mendim këto të vërteta për dy arsye: së pari, prof. Shefiku nuk jepte vlerësime subjektive e kuturu, por jepte vlerësime të bazuara në fakte, që vinin nga një peda-gog i mirëfilltë e i ditur. Dhe, e dyta, vlerësimet e mendi-met e tij vinin në një kohë, siç thuhet në popull, “Kur fjalët e mira po rrallohen me shpej-tësi, duke u kërcënuar të dëbohen nga fjalori i shqi-pes, nën sulmet e tërbuara të termave ligësimbartëse” (Prof. Kopi Kyçyku).

Prof. Shefik Haliti do të kujtohet edhe si prind shembullor, sepse me punë të pandalshme arriti që të tre fëmijët: Meritën, Donikën dhe Pëllumbin – t’i rriste e t’i pajiste me edukatë e cilësi të larta, cilësi që dëshmojnë dashurinë e respektin e prindit dhe të bashkë-shortes, të cilët deri në fund ruajtën nderimin e konside-ratën e pakufishme për njëri-tjetrin. Në këtë kontekst, frytet e punës së tij, famil-jarët e afërt e të largët, i kanë vërejtur që herët te fëmijët e Shefikut. Këshillat, mësimet, respektin dhe kujdesin që prof. Shefik Haliti tregoi ndaj fëmijëve të vet, na sjellin në mendje këshillat dhe poro-sitë e Mitrush Kutelit, dhënë bashkëshortes Efterpisë, për fëmijët: ˮTë doni njëri-tjetrin, të duroni njëri-tjetrin. Mos vini re vogëlsirat. Mos grin-deni për vogëlsira, për asgjë. Hidheni tutje inatin, se ai është burim i shumë të këqijave. Përpiquni të mos ju rritet mendja. Inati dhe men-djemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi, butësi, zemërgjerësi. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprrace në mirësi. Mos ëndërroni ato që nuk realizohen dot. Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje” (Mitrush Kuteli).

Po këto mendime e vlerësi-
me të Mitrushit të madh, prof. Shefiku, sikur i ka rrënjosur denjësisht te bashkëshortja e tij, Vaxhidja, bijat: Merita e Donika dhe djali, Pëllumbi, të cilët, veç e veç, e të gjithë së bashku, ruajnë kujtimin, respektin dhe mirënjohjen për bashkë-shortin dhe babanë model, të një pedagogu e intelektuali që frymëzoi për vepra e kulturë, që të shpie rrugëve të sigurta. Me arsye thuhet se, përderisa kujtohet, ai mbetet i gjallë gjithmon-shëm si pedagog që gjatë jetës gëzoi respekt e mirënjohje. S’ka dyshim se konstantja njerëzore dhe profesionale e prof. Shefikut mbetet përherë standarde. E themi këtë vlerësim pa asnjë ekzaltim e glorifikim për faktin se ai në të gjitha takimet që kemi marrë pjesë bashkë me të, asnjëherë nuk ka shfaqur inate apo paragjykime për t’i bërë ndonjë të keqe dikujt.

Duke i pasur parasysh sukseset e rezultatet e prof. Shefik Halitit, të dëshmuara në procesin edukativo-mësimor mbi pesëdhjetë vjet, Ai do të kujtohet si pedagog, intelektual, veprimtar e profesionist i rrallë dhe shumë i veçantë – vlera e tipare këto që emrin, veprën, kontributin dhe tërë jetën e tij e portretizojnë si një personalitet të veçantë të arsimit shqiptar; e bëjnë njeri me integritet të spikatur ndër ne. Në këtë nekrolog, të shkruar me ndjenja të dhimbshme shpirtërore dhe emocionale, kemi bërë përpjekje të përmbledhim tiparet më të shquara të profesorit Shefik, t’i përmbl-edhim kujtimet e pashlyera për figurën e tij dhe të pohojmë se nuk është mirë e as e ndershme të harrohet e as të heshtet veprimtaria arsimore dhe pedagogjike e prof. Shefik Halitit – vepri-mtari kjo e zhvilluar në rrethana e kushte tejet të ndërlikuara e me shumë sakrifica. E shohim të arsyeshme që për këtë përkujtim të kolegut të shërbehemi me fjalët e Adrian Thanos, thënë për Artur Zhejin: “Vdekja e papritur e cilitdo njeri është një nga ato lajme që ta ndalë frymën për një çast”. Andaj, edhe vdekja e prof. Shefik Halitit është ndarje që flet se është shuar një pedagog që ishte aktiv dhe i pranishëm në mesin e kolegëve dhe që tani nuk është më. Natyrisht, pas të gjitha këtyre fjalëve, emri dhe vepra e prof. Shefik Halitit duhet të kujtohen me respekt dhe e ndiejmë të nevojshme ta themi se ne, të gjallët, duhet t’u bëjmë nderim më të madh emrit e veprës së tij, sepse, vetëm në këtë mënyrë e dëshmojmë respektin, kujtimin dhe mirësinë ndaj prof. Shefik Halitit, i cili moto të punës pati të vërtetën, se drita gjithmonë triumfon mbi terrin, drejtësia mbi padrejtësinë, e vërteta mbi gënjeshtrën, vlera mbi jovlerën dhe nderi mbi jonderin.

Gjilan, 18 mars 2026

You Might Also Like