Futboll

SC Gjilani poshtë e më poshtë

Gjilani është në një krizë të thellë rezultatesh dhe nga Gjilani evropian është shndërruar në kërcnim për barazh.

Që nga fillimi i kampionatit është parë se ky nuk është një ekip stabil, ngase tërë kohën ka patur telashe në rezultat, kurse kriza më e thellë i erdhi tash kah fundi dhe me plot shqetësim e ankth pret ndeshjen derbi me Dritën.

Me një lojë të shthurur, mbrojtje tejet jostabile, mesfushë inerte dhe që gjithëmonë vonohet në pasime e sulm tejet të parrezikshëm, Gjilani është mposhtur nga Llapi, i cili kurrë më lehtë nuk ka nxjerrë pikë dhe në fund ka ngadhënjyer me rezultat 1:2.

Llapi ka kaluar në epërsi që në minutën e tetë, kur pas një harkimi nga këndi të kapitenit Arbnor Ramadani, topin e grushtoi Vokli Laroshi, por teposhtë, në trupin e Hasanit, i cili nga afërsia nuk e pati të vështirë të shënojë për 0:1. Në këtë rast goli është rishikuar nga VAR, por është vërtetuar se goli ishte i rregullt.

Në minutën 16, Gjilani fitoi një goditje dënimi, aty diku 18 metra larg portës prej ku gjuajti Armend Thaqi në mënyrë mjeshtërore, të cilën nuk arriti t’a ndalë as Qoriqi shtatlartë.

Në minutën 26, pas disa gabimeve të njëpasnjëshme të mbrojtjes së Gjilanit, pa ndonjë sulm të Llapit, nga asgjëja topi erdhi deri te Arijanit Hasani, i cili me një gjuajtje volej qëlloi këndin e djathtë të pambrojtur të Laroshit për rezultatin 1:2.

Në pjesëlojën e dytë kryetrajneri Debatik Curri që në nismë ka bërë katër zëvendësime, por as ato nuk sollën diç të mirë në lojën e Gjilanit, pos disa gjysmërasteve, por edhe atëherë kur kuq e bardhëve iu dha ndonjë mundësi më e mirë, u pa se ata nuk ishin të aftë të shënonin as në portën e zbraztë, andaj humbja ishte e paevitueshme. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like