Në Sallën Koncertale të Shkollës së Mesme të Muzikës, me pjesëmarrjen e nxënësve nga të gjitha shkollat e mesme të Gjilanit është përmbyllur aktiviteti “Promovimi i vlerave humane” i realizuar nga Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Asllan Elezi” dhe Gjimnazi Shoqëror “Zenel Hajdini” me bartëset e këtij aktiviteti Arbëresha Xhemaili dhe Vjollca Zymberi.

Arbëresha Xhemaili, profesoreshë e historisë dhe doktoresha Esma Mustafa nga Kryqi i Kuq kanë theksuar se ndihma, solidariteti dhe humanizmi janë forca që e ndryshojnë shoqërinë, andaj ato kanë kërkuar që të jemi shembull i vlerave humane.

Nga prizmi historik dhe psikologjik janë paraqitur punimet e dy nxënëseve të Gjimnazit Shoqëror “Zenel Hajdini”, të cilat folën për humanizmin e popullit shqiptar nga prizmi historik, ku përmenden heroin legjendar Adem Jashari dhe humanisten Nëna Terezë që aq shumë i dhanë Kosovës e botës. Ato folën edhe për perspektivat psikologjike.

U prezantuan edhe projektet e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Asllan Elezi”, të cilat ishin me mesazhe humaniteti, paanësie, neutraliteti, uniteti, pavarësie, vullnetarizmi e universaliteti.
Psikologia Vjollca Zymberi, organizatore e projekteve, ka thënë se katër mësimdhënëse ishin ato që organizuan nxënësit, duke dëshmuar se jemi popull human. Në këtë projekt është punuar dy muaj dhe doli të jetë shumë i suksesshëm.

Në këtë ngjarje, morën pjesë edhe zyrtarë të Kryqit të Kuq nga Qendra, kurse Armend Shala, koordinator i projektit të promovimit të vlerave humane, ka theksuar se ky projekt në nivel Kosove zhvillohet tash e tri vite kishte nisu me tetë shkolla, për t’u rritur në 15 shkolla dhe sivjet në 38 shkolla të mesme e sivjet dy shkolla nga Gjilani janë përfshirë në këtë projekt, që ka për qëllim angazhimin e të rinjve në komunitetet, këtë vit me theks të veçantë në fushën e humanitetit, fushën e përdorimit të materialeve, riciklimit, tolerance, kundër dhunës, bashkëjetesa dhe të tjera, ku këta të rinj kanë organizuar projekte.

Fillimisht ishin trajnuar nga dy mësimdhënës që ndoqën tri trajnime dhe i realizuan me nxënës me temat historia e kryqit të kuq, krijimit të projekteve, angazhimit në komunitet dhe ata kanë pasur një periudhë kohore dy deri në tre muaj për të realizuar projektet.

U pa një vullnet shumë i madh i të rinjve për të realizuar këto aktivitete dhe gjithmonë kemi pasur kërkesa për rritjen e numrit të nxënësve në këto projekte, ngase ato janë tejet atraktive dhe aty bëhet socializmi i nxënësve”, ka thënë Armend Shala, koordinator i projektit të promovimit të vlerave humane.



