Në Kamenicë, nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport është mbajtur Turneu I Volejbollit për nxënësit e Shkollave të Mesme nga Gjilani, Kamenica, Vitia e Lugina e Preshevës që organizohet në kuadër të Manifestimit Tradicional “Lulëkuqet e Prillit 2026” .
Ndeshjet janë luajtur në të dy konkurrencat, ndër femra e meshkuj dhe fitues dolën nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, që udhëhiqeshin nga profesorët Selami Haziri dhe Blerim Shala.

Fillimisht shorti deshi që vashat në ndeshjen e parë të jenë të lira, kurse në finale u ndeshën me nxënëset që përfaqësonin Komunën e Kamenicës. Pas një ndeshje tejet interesante gjimnazistet gjilanase fituan me rezultat 2:1 në sete, në një ndeshje që ishte shumë e paqartë deri në fund.
Ekipi I djemve, fillimisht u përballën me ekipin nga Lugina e Preshevës dhe fituan me rezultat 2:0 në sete, kurse edhe në ndeshjen tjetër fituan me rezultat maksimal 2:0, duke mposhtur ekipin e nxënësve të Kamenicës, në një ndeshje tejet interesante dhe të ngushtë në pikë.
Ekipeve të vajzave dhe të djemve dhe vajzave u takoi mirënjohja për pjesëmarrje dhe Kupat, kurse ata janë përgëzuar nga përfaqësues të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Kamenicës, që përcollën edhe urimet e kryetarit Kadri Rahimaj.





