
Shkruan: Enver Sadiku
Tri xhiro pa përfunduar Superliga e Kosovës në Futboll, FC Drita nga Gjilani ka siguruar titullin kampion i Kosovës edhe atë me fitore 2:0 ndaj Ballkanit, që ishte ndjekësi i vetëm i ekipit bardh e kaltër. Ky titull që është i pesti, duket se ka qenë më bindësi të cilin e ka fituar FC Drita, e cila ka qenë kampione në stinorët 2002/2003, 2017/2018, 2019/2020, 2024/2025 dhe 2025/2026.
Drita për herë të parë shpallet kampione e Kosovës në stinorin 2002/2003
Drita për herë të parë në historikun e saj kampione e Kosovës është shpallur në vitin 2003. Deri në fund të kampionatit ajo ka zhvilluar një luftë të madhe me Prishtinën se cila do të jetë e para dhe ka vendosur pikërisht ndeshja ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, që është luajtur në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, ku pas një ndeshje tejet interesante, ajo ka përfunduar me rezultat të barabartë 1:1. Ky rezultat i ka shkuar për shtati ekipit të Dritës, i cili në fund me një pikë më shumë se sa Prishtina u shpall kampion i Kosovës.

Tabela pas përfundimit të Kampionatit të Kosovës 2002/2003

Drita për herë të dytë kampione shpallet në stinorin 2017/2018
Në Kampionatin e Kosovës në Futboll 2017/2018, FC Drita për herë të dytë në historikun e saj është shpallur kampione e Kosovës.
Ndeshja vendimtare për titull është luajtur pikërisht ndaj rivalit të drejtpërdrejtë për vendin e parë, ndaj FC Prishtina e luajtur në Klinë më 20 maj 2018.
Prishtina e kishte të domosdoshme fitoren, bile asaj i duheshin dy gola dallim, derisa çdo rezultat tjetër Dritën e shpallte kampione.
Lojtarët e Dritës me urti ditën që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe në fund ndeshja u mbyll me rezultat të barabartë 0:0.
Me një lojë të mençur, futbollistët e Dritës ia kanë dalë që të mos pësojnë gol, bile nuk e lejuan ekipin e Prishtinës që fare të organizojë ndonjë sulm, derisa në kundërzbritje ishin shumë të rrezikshëm dhe kanë mundur të shënojnë.
Gjilanasit i kanë bërë pritje madhështore ekipit fitues të Kampionatit të Kosovës. Në platonë para Teatrit të Qytetit janë mbledhë mijëra gjilanas, të veshur me fanellat kaltër e bardhë. Fillimisht në qytet kanë arritur “Intelektualët”, të cilët ishin të pranishëm në ndeshje, kurse pas tyre ka arritur edhe autobusi me futbollistë, emrat e të cilëve janë thirrur një nga një, që janë ngjitur në skenë, kurse pas tyre edhe trajnerët dhe stafi udhëheqës.
Kulminacioni u arrit kur kapiteni Ardian Limani dhe zëvendëskapiteni Fidan Gërbeshi ngritën kupën dhe pasuan fishekzjarrët, të cilat për një kohë të gjatë ndriçuan qytetin.

Tabela pas përfundimit të Kampionatit të Kosovës 2017/2018

Hera e tretë kur Drita u shpall kampione e Kosovës në futboll. Stinori 2019/2020
Për herë të tretë, FC Drita është shpallur kampione e Kosovës në stinorin 2019/2020. Në fund të Kampionatit, që ishte tejet dramatik, Drita dhe Gjilani kishin pikë të barabarta, Gjilani kishte goldallim më të mirë, mirëpo Drita u shpall kampione shkaku i ndeshjeve të ndërsjella më të mira se Gjilani, i cili ngeli i dyti.

Tabela pas përfundimit të Kampionatit të Kosovës 2019/2020

Kampion për herë të katërt. Stinori 2024/2025
Pas përfundimit të Kampionatit 2024/2025, Drita për herë të katërt në historikun e saj u shpall kampione e Kosovës dhe përfaqësoi vendin tonë në Champions League. Ishte ky një ndër sukseset më të mëdha që e ka arritur ekipi bardh e kaltër, i cili ka shkuar më së largu në garat evropiane nga të gjitha ekipet kosovare, duke u përballë me ekipe të njohura të kontinentit të vjetër.

Tabela pas përfundimit të stinorit 2024/2025

Hera e pestë që Drita shpallet kampione e Kosovës. Stinori 2025/2026
Me fitoren 2:0 ndaj konkurrentit të drejtpërdrejtë për titull, Ballkanit nga Suhareka, FC Drita ia ka dalë që të mbrojë titullin e kampionit dhe për herë të pestë do të shpallet kampione e Kosovës në futboll.
Kështu, tri xhiro pa përfunduar kampionati 2025/2026, Drita edhe matematikisht ka siguruar titullin kampion.

Tabela tri xhiro pa përfunduar kampionati 2025/2026

(Shumica e shënimeve janë marrë nga libri “Derbi Drita – Gjilani (1995 – 2025)” i autorit Dr. Enver Sadiku).
Kryelajmi.com



