Komuna e Vitisë dhe Unioni i Turizmit të Kosovës nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi për zhvillimin e turizmit
Kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me Unionin e Turizmit të Kosovës, të përfaqësuar nga kryetari z. Baki Hoti.
Ky memorandum ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në funksion të zhvillimit dhe promovimit të sektorit të turizmit në Komunën e Vitisë.
Marrëveshja parasheh koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në hartimin e politikave dhe strategjive zhvillimore në fushën e turizmit, promovimin e turizmit të qëndrueshëm, përfshirjen e Vitisë në paketa turistike, pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare të turizmit, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta me rëndësi për zhvillimin lokal.
Po ashtu, memorandumi synon fuqizimin e promovimit të turizmit rural dhe agroturizmit, përgatitjen e materialeve promovuese dhe angazhimin për sigurimin e donatorëve dhe investimeve në projekte turistike për Komunën e Vitisë.
Kryetari Haliti vlerësoi këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm drejt promovimit të potencialeve turistike të Vitisë dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim ekonomik dhe turistik të komunës. Aziz Zuka




