Libri

AS MIQTË MEMECË S’JANË NGUSHLLIMTARË TË MIRË

 

Musa RAMADANI

AS MIQTË MEMECË S’JANË NGUSLLIMTARË TË MIRË

( Një triptik për miqtë që s’i gjejmë e na mungojnë )

TËHUAJËSIMI

Mësyva për të satën herë këtë qytet
Pa ëndrralla e gjakime
Sall t’shkëmbej ndonjë fjalë me miq
T’ia uroj ndokuj martesën
T’ia përgëzoj familjen ndoshta
Ngushëllime t’i shpreh ndokuj
Po shokët luftonin me brengat dëgjova
Miqtë ishin dalldisur në pontë e poker
Të tjerët me se merreshin as që pyeta
U kujtova: muajt ishin ndërruar në kalendar
Dhe vitet pritnin të shumëzohen ndër vete
Në bujtinë udhëtarësh të rastit ktheva
Duke darkuar me vetveten në qindra pjesë
Njëri plot domethënie më shikoi e shikoi
Si një ardhës që befas sjell fatkeqësi
Tjetri vërente ashtu plot dhembshuri
Se si vetëluftoja pa mëshirë në vetmi
Portirit i kërkova dhomë me një shtrat
Duke thënë: do punoj, pa treguar frikën
Në qytetin e lindjes në qytetin tim
Dyer që hapen oda që grishin s’kish

Në dhomën (më duket) numër 209
Ndieva se sa i rëndë qenka tëhuajësimi

MIQTË E MI MEMECË

Ja, ndodhen në dhomën time frymojnë
Të vegjël, të mëdhenj, të hollë, të trashë
Të bardhë, të zez, të kuq, të verdhë
Dërdëllis me ta netve si me vetminë
Nuk më hidhërojnë, nuk më kundërshtojnë
Më gjezdisin pa përtesë ndër kohëra e hapësira
Civilizime e rrënime, qytete e shtete më shpien
Dhe prapë më kthejnë këtu në dhomën time
Qëndrojnë heshturazi ndanë murit më vështrojnë
Pranë njëri-tjetrit në këmbë e gjithë huti
Në ballë shkronjat seç ua shndrisin emrat
Zemrat u janë të hapura për shpalim
Çdo gjë shoh e ndiej tek miqtë e mi
Duke udhëtuar në vete pa shpresuar për kthim
Ndonjëherë edhe grindem ashtu fëmijërisht
Në ndërrim motesh me tat ë vdekur a të gjallë –
Pse nuk më përgjigjen po veç tok më dëgjojnë

Bah, as miqtë memecë s’janë ngushllimtarë të mirë !

MIQTË DHE HIJET E TYRE

Në cilën stinë vallë të marrësh udhë
Çfarë rruge dredhore të ndjekësh
Ku të ndalesh për pushim e një pikë ujë
Cili bisht gjarpri të zvarritet deri në krye
Kur të nisesh me njatë të verbtin besim
Është mirë të ndalet ora në fillim të shtegut
Busullën gjithsesi ta harrosh me qëllim
Natën të ecësh si në lojën symbyllurazi
Armën ta varësh në mur për kujtim
Fjalët t’i ruash deri në takim
Heshtjen ta bartësh si mëkatin deri në shpinë
Sytë të mos i ndërsesh si qentë e zgjidhur
Këmbët të mos i urdhërosh si ushtarë të gjorë
Duart t’i shtrish me shuplaka kthyer teposhtë
Kokën ta ngresh lart si krushku në dasmë
E në trastëne zbrazët kraheqafë të marrësh
Një libër të vogël për ta dëftuar kthimin

Se në vend të miqve të ardhëshëm e të rinj
Ngjet të të presin vetëm hijet e tyre

You Might Also Like