Gjilan

Bajrami: Gjilani do t’i ketë ‘mushkëritë’ e tij me 20 hektarë parqe

 

Gjilan, 13 janar 2020 – Viti 2020 do të jetë vit i ndërtimit të afro 20 hektarë parqe në komunën e Gjilanit.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrotjes së Mjedisit në Gjilan, Bekim Bajrami, në konferencën e mbajtur me gazetarë, të hënën.

Madje, Bajrami e ka bërë një përkufizim interesant për këtë projekt madhor.

“Me ndërtimin 20 hektarëve, mund të them se Gjilani do t’i ketë mushkëritë e tij më të pastërta. Do të ndërtohet parku Baja, Parku i Paqes të Livadhet e Akllapit, Parku i Pajtimit te Gllama e Bresalcit dhe, tashmë jemi në finale të ndërtimit të parkut tek Kodra e Dëshmorëve”, ka deklaruar Bajrami.

I pari i Urbanizmit në Gjilan, teksa ka bërë një rekapitulim të punës në vitin 2019, ka thënë se ka filluar faza e legalizimit të objekeve pa leje, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, ku tashmë veç janë lëshuar certifikatat e para, në zonën urbane dhe rurale.

“Po ashtu, kemi përfunduar edhe draftin e Planit Zhvillimor Komunal, sikurse edhe Hartën Zonale të Komunës”, ka thënë Bajrami.

Drejtori i Urbanizimit në Gjilan, ka deklaruar se të hyrat në këtë dikaster janë impresive.

“Bëhet fjalë për mbi 800 mijë euro të hyra  për vitin 2019 në Drejtorinë e Urbanizmit, edhe atë në sektorin e lejeve të ndërtimit, lejeve mjedisore, taksave të legalizimit dhe kërkesat tjera të zakonshme”, ka përfunduar drejtori Urbanizmit në Gjilan, Bekim Bajrami.

You Might Also Like