Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK-Gjilan
QRTK në Gjilan fushëveprimtarinë e saj e zhvillon në 9 komuna (Kamenicë, Gjilan, Novobërdë, Ranillug, Partesh, Kllokot, Viti, Kaçanik dhe Han të Elezit). Këtë vit (2015) e ka zgjeruar veprimtarinë e vetë edhe në Rajonin e Ferizajt, ku përfshihet komuna e Shtimes dhe ajo e Shtërpcës. Po prandaj, në këtë shkrim do të trajtohen edhe objektet nga komunat përkatëse.
Në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme janë përfshirë gjithsej 9 kulla, 6 shtëpi-kulla, 32 shtëpi banimi, 4 oda dhe katër komplekse arkitekturore. Nga objektet e emërtuara si kulla, vetëm për 3 sosh mund të thuhet se janë kulla të mirëfillta, njëra ndodhet në Haxhaj të Gjilanit, tjetra në Zotaj/Vojnovc të Shtimes dhe e treta në Mjak të Vitisë. Objektet tjera shpërfaqin vetëm karakter fortesor, prandaj më mirë u shkon emërtimi shtëpi-kulla. Tridhjetë e dy objekte tjera të banimit ndodhen kryesisht në fshatrat malore, rrallë ndonjë në ato fushore (si shtëpia e Hasan Fazlisë në Koshare të Ferizajt, shtëpia e Jusuf Ademit në Leshtar të Kamenicës etj.).
Të gjitha objektet e banimit të këtij rajoni që janë në LTKMP kanë për karakteristikë punën e mjeshtërve vendës, zakonisht mjeshtërve të rajonit. Por, ka raste kur mjeshtrit kanë qenë nga vende tjera. Veçmas do duhej përmendur mjeshtrit dibranë, të cilët kanë ndërtuar kryesisht ndërtesa me gurë, të tipit të kullave-shtëpi, siç është rasti me shtëpinë-kullë të Hajdin Rrustemit në Terziaj, të Fetah Kurexhës në Kurexhaj, kullën e Kadri Vehbi Zeqirit në Haxhaj e ndonjë rast tjetër.
Nga të gjitha objektet e marra në mbrojtje janë të pakta ato që ende banohen (shtëpia e Muharrem Currit, Dremjak, Hani Elezit), ndërsa ka të tilla që shfrytëzohen vetëm verës (shtëpia-kullë e Xhelë Rrustemit, Terziaj, ajo e Hasan Fazlisë në Koshare, vetëm dhoma e zjarrit).
Në Karadak janë evidentuar tri objekte si kulla të familjes Hajdini (Shaqir, Hajdin e Xheladin Rrustemi), të cilave më mirë u shkon emërtimi shtëpi-kulla. Më karakteristike prej tyre ka qenë shtëpia-kullë e Shaqir Rrustemit, ndërtuar në vitin 1850, por që sot gati ka rënë e tëra, ndërsa faktorët shkatërrues janë nga më të ndryshmit. Një objekt i ngjashëm dhe i së njëjtës kohë është ai i Fetah Kurexhës, në fshatin Kurexhaj.
Kullë tipike e Karadakut del të jetë ajo e Vehbi Zeqirit nga Haxhajt e Gjilanit. Kulla e Vehbi Zeqirit, ka në radhë të parë rëndësi arkitekturore, për planimetrinë dhe formën e hapjeve, kulmit me dy baxha, si dhe dyshekllëkun e shtrirë në tërë fasadën ballore. Është e ndërtuar me gurë, hatulla si elemente konstruktive dhe llaç balte, aty rreth vitit 1880. Veçori e kësaj kulle janë dritaret nga ana e jashtme të cilat i ka në formë gjysmëharkore, ndërsa nga ana e brendshme në formë katrore. Një tjetër kullë e paevidentuar ndodhet në fshatin Zhegër, me dyshekllëk të mirëfilltë, e ndërtuar edhe kjo prej gurësh e hatullash, por një ndërtim i ri, edhe i lartë, ngjitas me murin e kullës, i ka zënë frymën të së vjetrës. Duke iu ngjitur Karadakut, krejt në thellësi të tij, në një plato të vogël të fshatit Mjak, tashmë merr frymë fuqishëm Kulla e Lamallarëve, me themele dhe ndonjë trakt muri që nga viti 1870, ndërsa e rindërtuar në vitin 2014. Një kullë guri mu në kufi me Tanushën e Maqedonisë.
Në fshatin Kufcë e Poshtme, një paralagje e Gjilanit në aksin rrugor Gjilan – Pogragjë, ndodhet një shtëpi banimi që njihet si Kulla e Sahit Agës, por që nuk është kullë tipike. Si duket, objekti është emërtuar si i tillë për shkak se në kohën kur është ndërtuar ka qenë ndër objektet më të mëdha në këtë trevë. I gëlqerosur me të bardhën, dallohej që larg. Përndryshe, objekti i takon tipit të shtëpive qytetare me ballkon, duke qenë njëkohësisht një ndërtim masiv për kohën. Një ndërtim të tillë që në kohën e Turqisë ka mundur ta financojë vetëm ndonjë i kamur, e i tillë ishte Sahit Aga, emrin e të cilit mban një lagje e tërë në Gjilan, – Lagjja Zabeli i Sahit Agës.
Në Malësinë e Gollakut është evidentuar një objekt banimi, i njohur me emrin Kulla e Tahir Gagicës. Objekti qe ndërtuar në tri anët me gurë, hatulla si element konstruktiv dhe llaç balte, ndërsa ana e përparme është punuar me çatme dhe suvatuar po me llaç balte. Edhe ky objekt është shkatërruar në masë të madhe. Tashmë është pa kulm fare, me tri muret anësore të cilat po bien për çdo ditë.
Në Malësinë e Hanit të Elezit, në vargmalin që nis kah Karadaku ndodhet fshati Dremjak. Në atë fshat shtëpitë janë kryesisht me gurë, ndërsa shtëpia e Muharrem Currit, rreth 200 vjeçare, është karakteristike për madhësinë që kishte për kohën dhe për thyerjet dhe hyrjet interesante. Shtëpia është e banueshme edhe sot, në të banojnë 8 anëtarë të familjes Curri. Kësaj shtëpie, së paku do t’i shkonte mirë emërtimi shtëpi-kullë, si për materialin e përdorur për ndërtim, – kryesisht gurë e hatulla si element konstruktiv, si për konstruktin në tërësi.
Megjithatë, kullë tipike dukagjinase është ajo e familjes Fejzullahu në fshatin Zotaj të Shtimes. Zotaj është fshat fushor mu pranë aksit rrugor Ferizaj – Shtime. Është një fshat me shtëpi të dendura, të ndërtuara me material të fortë, kryesisht betonarme. Ka kohë që e reja e ka mundur të vjetrën. Por, kulla e familjes Fejzullahu qëndron fuqishëm në këmbë të saja, si për shkak të materialit të ndërtimit (tulla nga punishtet vendëse dhe llaçi prej gëlqereje), si për shkak të interesimit të familjes, e cila edhe pse ka ndërtuar shtëpi të re, kullën e mirëkqyrë me dashuri. Duket se kulla është ndërtuar kryesisht për status. Ajo ndodhet pranë rrugës së fshatit, në hyrje të oborrit, dhe ka vetëm dy kthina, njërën në përdhes dhe tjetrën në kat. Kulla ka dyshekllëkun e dalë nga muri perimetral në formën e qoshkut.
Shtëpitë e banimit
Shtëpitë e banimit që i takojnë fushëveprimit të QRTK-së Gjilan, në anën tjetër, kanë ngjashmëri mes vete në shumë aspekte. Në radhë të parë për materialin e përdorur për ndërtim. Zakonisht bëhet fjalë për themele prej gurësh dhe muret muruar me material të ndryshëm: gurë, tulla rrallë, hatulla, çatme, thupra etj.
Kështu mund të thuhet edhe për shtëpitë e Malësisë së Gallapit. Shtëpia e Demush Ferizit, në Zhujë të Kamenicës, p.sh. ka përdhesin të punuar nga gurët, kurse katin e parë të punuar nga qerpiçët. Shtëpia tjetër, ajo e Hamdi Demollit në Krilevë, ka themelin dhe murin perëndimor të përdhesit prej gurësh, se shtëpia ka dy kate, ndërsa muret tjera krejtësisht janë ndërtuar me hatulla horizontale dhe shtylla vertikale, duke u thurur me çatme, më pas suvatuar me llaç balte, i cili pas kaç vitesh ka marrë ngjyrë dheu. Po në këtë mënyrë janë punuar muret e katit të shtëpisë së Novobërdalive në Novobërdë, – kryesisht nga shtyllat e drurit, breza druri horizontalë dhe çatmat, suvatuar me llaç balte përzier me byk kashte, – një karakteristikë kjo për shtëpitë e Anamoravës.
Shtëpia e Hamdi Rashtit nga fshati Velegllavë, është ndërtuar kryesisht me gurë, hatulla dhe llaç prej balte, ndërsa vetëm oxhaqet e dy kthinave të përdhesit dhe atyre të dhomave të katit janë prej qerpiçësh. Një shtëpi tjetër në Leshtar të Kamenicës, ajo e Jusuf Ademit, sot pronë e Bekim Ademit, ka një arkitekturë popullore shqiptare që njëkohësisht lidhet me statusin e kryefamiljarit.
Në Gjilan me rrethinë janë evidentuar shtëpi edhe në fshatra të rrafshëta, përpos në fshatra malore. Një nga shtëpitë interesante të Pasjanit është ajo e Bozhin Gjorgjeviqit, e ndërtuar në vitin 1904, pasi ishte marrë leja nga zyrtarët turq në Gjilan. Materiali i ndërtimit përbëhet nga gurët, qerpiçët dhe llaçi prej balte. Në të vërtetë, kati përdhes është i ndërtuar krejtësisht me gurë, ndërsa kati tjetër është i ndërtuar me qerpiçë. Në këtë shtëpi korridori i katit komunikon me të gjitha dhomat asimetrike. Të gjitha dhomat kanë dysheme me trarë dhe dërrasa, sikundër edhe tavane të tilla, përveç njërës që ka tavan me thupra.
Në Malësinë e Karadakut, në fshatin Burincë është marrë në mbrojtje kompleksi i Lagjës së Zmokëve, një lagje banimi me shtëpi kryesisht prej guri, asnjëra prej të cilave duket se nuk është më e re se 80 vjet. Por, shumica prej tyre janë shkatërruar dhe po shkatërrohen për ditë nga pak, edhe pse kohët e fundit ka një rikthim të popullsisë në këtë fshat: ndonjëri në një vilë, e tjetri duke u marrë me blegtori, e një tjetër me bletari. Në këtë lagje dallohen disa shtëpi, si shtëpia e Ahmet Rexhepit dhe ajo e Shaban Rexhepit. Në fshatin e afërt, Muçibabë, ka shtëpi të ndërtuara vetëm me gurë, pa hatulla fare, si shtëpia e Xhafer Selmanit.
Nga komuna e Artanës janë evidentuar dy shtëpi, secila me karakteristika të veçanta. Shtëpia e Murtez Novobërdaliut ka rreth 150 vjet që kur është ndërtuar. Është një prej objekteve me një arkitekturë interesante popullore, sigurisht e ndërtuar në kohën e Turqisë. Shtëpia ka dy kate, përdhesin dhe katin. Përdhesi është ndërtuar nga gurët të lidhur me llaç balte, gjithashtu të suvatuar me llaç balte të përzier me byk kashte. Shtëpia tjetër, ajo e Joviç Bllagojes (Makresh i Epërm) është karakteristike për disa arsye: është shtëpi e vjetër fshatare, rreth 100 vjeçare, e ndërtuar, përpos me gurë edhe me tulla të kuqe, një karakteristikë e hasur rrallë. Në të vërtetë, një shtëpi me katin prj tullash është ajo e Abdyl Cakollit në Krilevë.
Në Han të Elezit janë evidentuar dhe janë bërë pjesë e LTKMP disa shtëpi fshatrash. Në fshatin Puset e Nikës/Pustenik janë tri komplekse lagjesh me shtëpi kryesisht prej guri: lagjja Brava, lagjja Dacaj dhe ajo Bushët e Poshtëm. Në të tri këto lagje janë incizuar shtëpi që nuk është se dallojnë nga shtëpitë e rajoneve tjera. Një karakteristikë e tyre përpos përdorimit të gurit, është përdorimi më i shpeshtë i hatullave si element konstruktiv. Kështu mund të thuhet për shtëpinë e Brahim Bushit, e cila ka gjithsej 7 breza drurësh – hatullash. Ndërsa, në ndonjë rast na paraqiten muret ndarëse të katit vetëm me thupra dhe llaç balte, tek pastaj gëlqerosur me të bardhë, siç është shtëpia e Nazmi Bravës, kurse shtëpia e Abedin Dacit muret ndarëse i ka prej qerpiçësh.
Gurët e mureve të shtëpive janë të madhësive të ndryshme, ndërsa një lloj radhe a rendi të murit e bën llaçi prej balte që luan edhe rolin e lidhësit, po njëkohësisht edhe të niveluesit. Ndërsa, trarët e përdorur për tavanet, si tek përdhesit, si tek katet zakonisht vendoseshin në pozitë tërthore, mbi arkitrarët po prej druri. Në të shumtën e rasteve trarët dhe arkitrarët janë punuar nga druri i bungut. Hatulla është elementi konstruktiv që ndeshet gati në të gjitha shtëpitë.
Kulmet e shtëpive dalin katërujëse, dyujëse dhe rrallë me thyerje të ndryshme. Kulmet katërujëse kanë nga një shtyllë (bashcungal) më të fuqishme në mes, aty ku ngrihet kulmari, vendosur mbi arkitra a urë siç e quan populli, e ndonjëherë edhe qypri. Shtyllat tjera (cungjelat) shkojnë duke u zvogëluar për t’i dhënë kulmit pjerrtësinë e dëshiruar. Mbi to vendosen krenat (ballësoret) që shkojnë nga streha në kulm. Në kulmet e këtilla katërujëse zakonisht në secilën prej katër vijave të ndërprerjes midis dy kullimeve suksesive vendosen mahitë. Në rastet kur shtëpitë kanë kulm dyujëse (shtëpia e Ajet Kokës në Kokaj), numri i shtyllave varet prej madhësisë së shtëpisë dhe kulmit njëkohësisht. Ka edhe një radhë të dytë shtyllash prej druri që i japin pjerrtësinë vetë kulmit. Mbi ballësoret ose gërshërëzat vendosen listelat që në të shumtën e rasteve u përngjajnë çatmave. Materiali i përdorur për ndërtimin e objekteve të këtilla si zakonisht është vendës.
Përdhesit e shtëpive kryesisht kanë nga dy kthina, njëra prej të cilave është përdorur si shtëpi zjarri, ndërsa tjera si ahur bagëtish. Kthinat kanë korridore në mes (shtëpia-kullë e Xhelë Rrustemit në Terziaj të Gjilanit), por ka raste kur përdhesi ka një hapësirë të tërë, ndërsa shtëpia e zjarrit dallohej për kashtën e shtruar, mbuluar me hasra dhe ngritur pakëz më lart se niveli i dyshemesë, në kthinën tjetër vërehet grazhdi i bagëtive (shtëpia-kullë e Feta Kurexhës). Ka raste kur përdhesi mund të kishte ahur të ndarë krejtësisht nga shtëpia e zjarrit (shtëpia e Jusuf Ademit në Leshtar të Kamenicës, ose shtëpia e Hasan Fazlisë në Koshare të Ferizajt). Dyshemetë e përdhesve zakonisht janë prej balte.
Dhomat e katit kanë pasur përdorim të dedikuar. Shpeshherë dhoma më e madhe përdorej si odë, bile duke i nxjerrë një hyrje të veçantë (shtëpia e Muharrem Currit në Dremjak të Hanit të Elezit). Edhe dhomat e kateve, edhe përdheset e të gjitha shtëpive të banimit dalin të ulëta për kah lartësia, përpos Kullës së Sahit Agës në Kufcë të Poshtme të Gjilanit dhe shtëpisë së Hasan Fazlisë në Koshare të Ferizajt. Ndërsa, shtëpia e Muharrem Currit (Dremjak) ka përdhesin më të lartë se katin. Në shtëpinë e fundit përdhesi komunikon me oborrin me një hyrje të hapur dhe më të madhe se zakonisht janë hyrjet. Një hyrje paksa të ngjashme ka edhe shtëpia e Hasan Fazlisë.
Kryesisht shtëpitë e banimit në kate kanë nga dy e tri dhoma, por ka të tilla që kanë edhe nga katra, e ndonjëra edhe pesë sosh, -gjithnjë duke pasur parasysh kamjen e familjeve. Disa nga shtëpitë kanë edhe hambarë të vendosur në kthina të ndryshme. Shtëpia e Demush Ferizit (Zhujë, Kamenicë) ka hambarin me gjashtë nënndarje në kthinën e përdhesit, ndërsa hambarë në korridor të katit ka shtëpia e Hamdi Rashitit nga Velegllava, Ahmet Rexhepit nga Burinca, Fetah Kurexhës nga Terziaj e ndonjë tjetër .
Dritësimi i dhomave bëhet nga dritaret kryesisht të vogla, nëpërmjet të cilave nuk depërton dritë e mjaftueshme. Dhomat kanë dyer më të ulëta se zakonisht i hasim sot. Ndërsa, ndodh që dhomat të mos jenë asimetrike dhe të mos përputhen me planimetrinë e jashtme të shtëpive. Ka raste kur ato (dhomat) janë të vendosura në mënyrë lineare ( shtëpia e Baki Currit). Disa prej shtëpive kanë pasur brenda WC-të, zakonisht në fund të korridoreve të dala si konzollë.
Duke qenë se të gjitha shtëpitë e vendosura në LTKMP paraqiten në dy kate (P+1), mund të thuhet se komunikimi ndërmjet tyre (kateve) realizohet nëpërmjet shkallëve. Shkallët e brendshme janë prej druri, ndërsa të jashtmet janë edhe prej druri edhe prej guri.
Karakteristikë tjetër për këto objekte paraqet punimi me dru, veçanërisht punimi i shtyllave mbajtëse të çardakëve, rrethojave të çardakëve, kapiteleve improvizuese, tavaneve të punuar me dërrasa dekorative të kohës, dollapëve prej druri, ndonjëherë edhe të tillë që përfshijnë tërë sipërfaqen e murit, si tek shtëpia e Demush Ferizit në Zhujë të Kamenicës. Në këtë shtëpi druri i përdorur edhe për dy dollapë më të vegjël të dy dhomave tjera është dru ahu. Dollapët janë dekoruar me gdhendje motivesh të ndryshme gjeometrike. Fasada e shtëpisë së Jusuf Ademit (Leshtar) hapet me një çardak që ka një rrethojë të trajtuar vetëm me dru dhe pesë shtylla, të cilat mbajnë pjesën e kulmit mbi të. Çardaku ka hyrjen nga ana veriore, ndërsa në mes të tij ka një derë komunikuese me korridorin e gjerë, i cili shpie në katër dhomat përbërëse të katit. Në fund të korridorit është qilari i shtëpisë.
Shtëpia e Baki Currit, deri vonë, ka qenë e banueshme, prandaj disa intervenime në të sikur i kanë ndryshuar pamjen, por që kjo mund të thuhet vetëm për çardakun, i cili është rrethuar me tulla të kuqe, në vend të rrethojës së drurit që kishte më parë. Rrethoja e katit është prej druri me shtylla që shkojnë gjer në kulm, me kapitele të gdhendur mirë, ani pse gdhendja është realizuar me sëpatë. Edhe shtëpia e Muharrem Currit ka çardakun me rrethojë prej druri të stilizuar me gdhendje nga më të ndryshmet. Në lagjen e Bushëve të Poshtëm të Pustenikut, në shtëpinë e Brahim Bushit, çardaku me rrethojë prej druri shtrihet në tërë ballinën e shtëpisë, duke vazhduar edhe kah muri lindor, por që vazhdimi është më i ngushtë se çardaku i mirëfilltë. Rrethoja e çardakut prej druri është e stilizuar bukur, me hapje të ndryshme në dërrasa, e ndonjëherë hapjet e tilla ngjasojnë me kryqe. Një çardak i ngjashëm ndodhet në shtëpinë e Abedin Dacit, po të Pustenikut. Ky i fundit është i rrethuar me dërrasa dhe thupra. Çardak ka edhe shtëpia e Nazmi Bravës, por për rrethojën e saj nuk mund të thuhet asgjë më shumë sepse është prishur e tëra. Çardaku i shtëpisë së Bllagoje Joviqit nga Makreshi i Poshtëm, ka një rrethojë prej druri, e cila është prishur dhe aty-këtu mund të gjesh ndonjë copëz që identifikon rrethojën. Përndryshe, çardaku përbëhet nga 11 shtylla vertikale të vendosura në ballinë të objektit, sikundër tri të tjera që e bëjnë gjerësinë. Shtyllat janë të gdhendura me sëpatë, ndërsa kanë nga dy unaza çifte në dy vende, në largësi të barabartë prej fundit dhe prej majës. Tek unazat që rrinë afër majës janë vendosur në dy anë dy mbajtëse, a copëza druri të gozhduara fort për shtylle. Mbi mbajtëset e tilla janë vendosur tullat e kuqe, të cilat zënë pozicion në krah dhe pjerrtas patjetër, për të formësuar harqet ndërmjet shtyllave. Janë gjithsej dy harqe në anën e gjerë të çardakut dhe dhjetë të tjera në ballinë të çardakut. Një karakteristikë e tillë e punimit të harqeve me tulla të kuqe, nuk është hasur në shtëpitë tjera të cilat janë vizituar nga QRTK, duke përfshirë edhe shtëpitë që nuk janë në LTKMP.
Shtyllat prej druri janë vendosur në vende të ndryshme, por vetëm me një funksion, – zakonisht kanë funksion të mbajtjes së arkitrarëve. Shumica prej shtyllave të të gjitha shtëpive kanë vetëm njërën pjesë të kapitelit, -pjesën e mysët – ekinin, ndërsa u mungon abaku. Po ka dhe shtylla që përpos funksionit mbajtës, sikur vetë përforcohen ndonjëherë për trarin e parë të kulmit, si tek shtëpia e Bllagoje Joviqit. Në shtëpinë Abedin Dacit, tavani i dhomës së zjarrit ka tre shtylla me bazë gurin të vendosur në taban, të cilat mbajnë arkitraun me kapitele të forta po të stilizuara pakëz. Ndërsa, në shtëpinë e Sylë Haskut të Kremenatës janë ruajtur dy shtylla me kapitele të stilizuara mirë për kohën, ndërsa janë dhe vendet për tri shtylla tjera që janë hequr fare nga objekti. Trari buzë kulmit është i stilizuar me prerje në formë dhëmbëzore. Dhomat e përdhesit (shtëpia e Bozhin Gjorgjeviqit) kanë nga një shtyllë mbajtëse të drurit të tipit kolonë mbajtëse, me kapitel të thjeshtë gjithashtu prej druri.
Karakteristikë e përbashkët e objekteve të trajtuara është vjetërsia e tyre që rrallë shtrihet deri në 200 vjet.
Odat e evidentuara janë gjithsej katra. Të të katërtat si zakonisht zënë vend në fillim të oborreve, ku mund të hynin më lehtë miqtë, e edhe udhëtarët e rastit. E vetmja odë në kat është ajo e Fevzi Hoxhës në Cërnicë të Gjilanit, e ndërtuar në vitin 1928. Oda është në katin e parë, ndërsa kati përdhes është përdorë për një kohë si mejtep. Materiali për ndërtimin e objektit, kryesisht është guri i punuar dhe i lidhur me llaç balte dhe drurë në formë hatullash. Në odë edhe sot ruhet yklyku, që përdorej për vendosjen e dyshekëve dhe jorganëve, dy trapazana të vendosur në dy anët e fillimit të odës, aty ku është edhe hyrja, e cila është nga lindja. Oda ka qenë e rrethuar me mindere, të cilët janë shkatërruar nga koha. Janë edhe dy dollapë ku janë mbajtur takëmet e kafesë, sheqeri, kafeja, duhani etj. MKRS ka intervenuar në dy prej odave të cilat janë në listë: në odën e familjes Luzha të Begracës dhe në odën e Fevzi Hoxhës të Cërnicës.