Futboll

Duro: Po vuajmë mungesat e disa prej futbollsitëve kryesorë

Zhagitja e lojës nga futbollsitët e Llapit dhe mungesa e titullarëve te Drita e kanë shqetësuar kryetrajnerin e kësaj skuadre Shpëtim Duro, i cili u largua me shije të hidhur nga “Zahir Pajaziti” pas disfatës së dytë rradhazi në kampionat, raporton Gazetasheshi.com.

Në prononcimin e tij pas ndeshjes Duro foli për vështirësitë që pati skuadra e tij në këtë përballje, ndërkohë që “thumboi” ekipin llapjan për vonesë loje.

“Këto ndeshje i vendosin episodat dhe ashtu ndodhi dhe sot. Ne kishim mundësitë tona përpara se të realizonim golin, por më pas gjithçka u bë më e vështirë, sidomos në pjesën e dytë kur nuk pati fare lojë efektive. Më vjen keq që po e them këtë por skuadra e Llapit e ka zhagitur shumë ndeshjen. Çdo veprim i futbollistëve të Llapit përcillej me një vonesë disa minutëshe dhe futjen e mjekut në fushë. Kjo me të vërtetë i humbet bukurinë futbollit”,deklaroi Duro për Super Sport Kosova.

Tekniku 58 vjeçar nga Tirana gjithashtu analizoi edhe skuadrën e tij, derisa mungesat e disa futbollsitëve titullar ishin kruciale që skuadra e tij të pësoj edhe humbjen e dytë rradhazi.

“Ne po vuajmë mungesat e disa prej futbollsitëve kryesorë si Xhevdet Shabani, Haxhi Neziraj dhe Betim Haxhimusa, i cili është një futbollist krucial për ne, pasi që po realizonte dhe po na sjellte fitoret rradhazi. Megjithatë ne u munduam të mbulojmë këto mungesa dhe kisha besim se sot mund të ktheheshim me një rezultat pozitiv, por po e them edhe njëherë që mënyra e lojës së kundërshtarit na ka vështirësuar punët tej mase”, përfundoi tekniku i bardhekaltërve.

You Might Also Like