KULTURA

Eksponatet nga odat të barten në muze

Eksponate të shumta ka në duar të njerëzve të cilat ata i ruajnë me xhelozi, por ka edhe dhurues, por që disa prej tyre qendra ende nuk i ka marrë shkaku i hapësirës, por që me hapjen e Muzeut ato do të ekspozohen për vizitorë, thotë Ismet Tafili, zyrtar në QRTK.

Shumë eksponate që ruhen nga qytetarët, vendin e kanë në muze e Muzeu i Gjilanit, i paralajmëruar se do të hapet këtë apo atë muaj, ende nuk është i gatshëm për vizitorët. Qytetarët e Rajonit të Anamoravës edhe pa pasur muze e kanë traditë që t’i ruajnë objektet nga trashëgimia e tyre kulturore, kurse Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, të gjitha këto objekte i ka evidentuar dhe është në dijeni për to, por që përpos insistimit që ato t’u dhurohen me dëshirë, nuk ka përdorur ndonjë formë tjetër të detyrimit.

Ismet Tafili, zyrtar në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, thekson se kjo qendër kryesisht merret me trashëgimi arkitekturore e jo arkeologjike, ngase me fushën e arkeologjisë merret Instituti Arkeologjik në Prishtinë, andaj siç shton ai, për momentin nuk ka ndonjë projekt nga QRTK-ja, që do të kthente eksponatet nga pronësia private në atë të shtetit. Tafili Beson se në të ardhmen gjetjet arkeologjike do të trajtohen sipas ligjit të Trashëgimisë së Kosovës.

Sipas tij, koleksionuesit privatë,  aq  sa ka pasur mundësi, QRTK e Gjilanit i ka evidentuar dhe ata  kryesisht nuk kanë shprehur dëshirë t’ia dhurojnë muzeut, sepse ato i kanë grumbulluar vetë dhe i ruajnë me xhelozi si vlera të trashëgimisë të rajonit të tyre. Ata eksponatet i kanë vendosur në oda, kthina të veçanta në shtëpitë e tyre, në  ndonjë objekt publik, sikurse mejtepet, oborret e shtëpive të tyre, restorante  etj. Pothuaj se të gjithë koleksionuesit kanë eksponate të ngjashme, vetëm se disa më shumë  e disa më pak. Megjithatë, siç thotë Ismet Tafili, disa prej tyre  kanë shprehur dëshirë të  dhurojnë eksponatet që i kanë nga dy, e disa i kanë dhuruar një numër të konsiderueshëm të eksponateve , siç është rasti me Abdylfetah Limanin nga Gjilani, i cili i ka dhuruar qendrës mbi 40 artefakte, pastaj Shaban Rashiti nga Verbica e Zhegocit e disa koleksionues të tjerë.

Një shembull që duhet ndjekur është ai i Abdylfetah Limanit, banues në Gjilan, i cili muzeun e konsideron si shtëpinë e tij të dytë, i cili shumicën e eksponateve të veta, që nga civilizimi ilir e deri te ato të periudhës më të re ia dhuroi qendrës, numër ky që tashti ka arritur në rreth 40 eksponate. Edhe pse disa syresh i kishte blerë me të holla, Abdylatifi, asnjëherë nuk e shiti asnjë eksponat, por i dhuroi falas, për siç thekson ai, për QRTK-në dhe Muzeun e Gjilanit. Ai ka edhe eksponate të tjera në shtëpi dhe premton se edhe ato do t’i dhurojë.

“Unë nuk jam arkeolog që saktësisht t’a them se çfarë vlera kanë eksponatet, apo që të them saktësisht se cilës periudhë i përkasin, por besoj se ato janë të periudhave të ndryshme, që nga periudha ilire, romake, nga neoliti e këtej. Jam i dhënë  pas eksponateve, ku kam dëgjuar se dikush i ka, ia kam kërkuar, ia kam blerë. Ato i mbaj 5-6 muaj në shtëpi, i shijoj dhe më pas ia dhuroj QRTK-së”, thotë Abdylfetah Limani, i vetëdijshëm se aty do të ruhen më mirë, se aty do t’i vlerësojë edhe dora e ekspertit dhe se nesër, kur të hapet Muzeu i Gjilanit, vlerat e tyre do t’i shijojnë të gjithë vizitorët.

“Kam edhe disa eksponate në shtëpi, por do të mbledh edhe të tjera dhe të gjitha do t’i dhuroj, kurse kur të hapet Muzeu, ai do të jetë shtëpia ime e dytë dhe aty do të vijë t’i vizitojë sa herë që të më merr malli për to”, shprehet Abdylfetah Limani, që i gëzohet muzeut si ndërtimit të shtëpisë së tij dhe i fton edhe qytetarët e tjerë që eksponatet që i kanë t’i dhurojnë për nevoja të muzeut, sepse siç thotë ai “eksponati nuk ka vlerë nëse rri i mbyllur, nëse atë nuk e sheh askush”. Sherafedin Kadriu, zyrtar në QRTK, thekson se nuk janë sikur Abdylfetahu të gjithë koleksionuesit, ngase siç thotë ai, ka njerëz që nuk i dhurojnë ato, bile nuk lënë as që të evidentohen e të fotografohen. Megjithatë, QRTK nuk i ka bërë publik emrat e personave të tillë, ngase beson në vetëdijesimin e tyre.

Ismet Tafili, nga kjo qendër, që ka bërë shumë vizita në terren, thotë se eksponate të shumta ka në duar të njerëzve dhe ka edhe dhurues të tjerë, por që disa prej tyre qendra ende nuk i ka marrë shkaku i hapësirës, por që me hapjen e Muzeut ato do të ekspozohen për vizitorët. “Besoj se eksponate kanë një numër bukur i madh i qytetarëve por, nuk  kemi mundur t’i evidentojmë të gjithë”, thotë Tafili duke përmendur këtu  edhe  Shaban  Rashitin (Verbicë e Zhegocit), Shaban Hajrullahu n(Zhegër),  Shaqir Hajrullahun, (Zhegrër),  Mejdi Musliu n(Verbicë e Zhegocit), Sabedin Shahiqin (Gjilan), Muhamet Sadriun (Gjilan), Ukshin Halitin -monedha (Livoç i Poshtëm), Sadik Dervodeli n(Gjilan), Ekrem Hajdinin  (Malishevë), Muhamer Shabanin (Perlepnicë), Demir Behluli n(Gjilan),  Shefik Thaçin (Muqiverc), Qemal e Ismet Kastratin (Hogosht), Selman Rifat Dermakun (Shiashnicë e  Epërme), Mejtepi në Shipashnicës të Epërme, Qamil Hallaqin (Karaçevë –Muhoc), Zotrim Kastratin (Karaçevë e Epërme), Muzeun etnografik në Hogosht për të cilin kujdeset Xhemush Biçku, Ramadan Baxhukun (Muhoc) e koleksionues të tjerë.

Ai thotë se eksponatet që i posedojnë këta koleksionues privatë e ndonjë gjetje arkeologjike,  janë mjaftë të vjetra siç është rasti me çekanin e gurit, që mendojmë se është nga epoka e gurit,  pastaj të kohës, Ilire, romake, e me radhë të të gjitha periudhave. Pastaj është pitosi i shek. II para erës sonë, disa figurina që  i ka sjellë Abdylfetah Limani, po ashtu janë shumë të vjetra, ndonjë gyp  qeramike të ujësjellësit nga koha romake, gurë mbivarrezor me gravime , nga shek i III të erës sonë, koritë prej guri, shpata  500 vjeçare, kryq prej guri , që mendojmë që janë të kohës palokristiane; vegla pune, të bujqësisë etj. që janë 200- vjeçare, 100- vjeçare e ca edhe më të reja. 

“Për vjetërsinë e tyre  mendimin duhet ta japin ekspertët  nga fusha e caktuara”, shprehet Sabit Rrustemi, zyrtar për promovimin e vlerave kulturore në QRTK, derisa  Artan Hoxha, drejtor në QRTK, thotë se shembulli i atyre që i dhuruan eksponatet duhet të përkrahet nga të gjithë, ngase sipas tij, mbi 300 eksponate vazhdojnë të qëndrojnë në ambiente të ndërtesës së Muzeut, objekte këto që datojnë që nga shekulli i dytë para epokës së re e deri te objekte të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar dhe tashti ato vetëm presin hapjen e muzeut në mënyrë që vizitorët të munden t’i shohin ato.

You Might Also Like