Me dy gola të realizuar në pjesëlojën e dytë, Drita ka shënuar fitore ndaj Dukagjinit me rezultat 2:0, fitore kjo që e afron ekipin bardh e kaltër drejt kreut të tabelës, pasi dy të parët në kampionatin e Kosovës, Ballkani e Llapi kanë barazuar, shkruan kryelajmi.com.
Drita e ka dominuar ndeshjen, por në pjesëlojën e parë nuk ia doli që së paku të shënojë një herë, bile ekipi gjilanas për pak nuk pësoi gol, ngase në pjesëlojën e parë një herë u dridh transversalja e portierit Maloku.
Në pjesën e dytë Drita ishte më konkrete dhe ia doli që të shënojë dy herë. Kështu, në minutën 56, Ovouka ka shënuar një supergol, kur me gjuajtje të fortë nga largësia ka qëlluar këndin e majtë të epërm të portierit klinas Kenan Haxhihamza për 1:0.
Mbizotërimi në fushë i Dritës ka vazhduar edhe më tej dhe si pasojë e kësaj Drita ka shënuar golin e dytë, kur pas një shpërthimi nga e djathta, në anën tjetër është shërbyer Obioha, i cili nga një pozitë ballore dërgoi topin në anën e djathtë të portës për rezultatin përfundimtar 2:0 për Dritën./kryelajmi.com/.