Futboll

Fundi i ndeshjes fatlum për Dritën

Nëpër një terren tepër të rënduar nga shirat e pandërprera, Drita dhe Ulpiana kanë zhvilluar ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor të zhvilluar në Gjilan.

Drita pas disa fitoreve radhazi, me shpresën se së paku përkohësisht mund të marri vendin e parë, shumë mirë e ka nisur ndeshjen dhe që në fillim ia ka bërë me dije kundërshtarit se synim i saj është fitorja.

I pari që ka rrezikuar ka qenë Hamdi Namani i Dritës në minutën 11, por që mesfushori i Dritës nuk shfrytëzoi daljen e gabuar të portierit mysafir. Në minutën 28 rast të mirë pati Marko Simonovski, po pa ia dalë të shënojë, derisa atij dy minuta më pas i është kundërpërgjigjur braziliani Santos që gjuajti nga largësia, por topi shkoi jashtë portës. Drita e gjeti golin e parë në minutën 40 dhe kësaj radhe nuk ka gabuar Muja, që ka shënuar për 1:0.

Pjesëlojën e dytë më mirë e kanë nisur mysafirët nga Lipjani, të cilët edhe ia kanë dalë që të barazojnë rezultatin në minutën 51, kur Egzon Qerimi është gjetur më së miri dhe ka shënuar për rezultatin 1:1.

Pasi ka pranuar gol Drita sërish është hedhur në sulm dhe në minutën 66, pas një aksioni të rrezikshëm qendërsulmuesi Marko Simonovski gjuajti me kokë, por nuk ia ka arritur që të shënojë e tre minuta më pas edhe Almir Ajzeraj në minutën 69 pati shumë rast të mirë edhe kësaj radhe shpëtoi porta e Ulpianës.

Pas një trysnie të madhe, Drita ia ka dalë që të shënojë në fund të ndeshjes edhe atë nga pika e bardhë nëpërmjet Astrit Fazliut për rezultatin 2:1.

Në fund janë dhënë 10 minuta lojë shtesë dhe në kohën shtesë vetëm sa është konfirmuar fitorja e Dritës me golin që e ka shënuar Marko Simonovski për rezultatin 3:1.

You Might Also Like