SABEDINI Musa. Gazetar. U lind më 1971 në fshatin Stublinë të Komunës së Gjilanit , ku edhe kreu shkollën fillore, kurse shkollimin e mesëm e ka përfunduar në Gjilan. Ka përfunduar studimet në nivelin master për gazetari, në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1993 ishte redaktor i rubrikës së brendshme në gazetën studentore “Bota e re”, kurse në vitin 1994- 1997 është zgjedhur edhe kryeredaktor i saj. Në vitet 1990-91 ka shkruar për gazetat “Bujku”, “Shkëndija”, “Kosovarja” e gazeta të tjera të kohës. Gjatë viteve 1997-1998 ka kryer punën e korrespondentit nga Gjilani në gazetën “Kosova Sot”. Pas luftës ka vazhduar me gazetari ku edhe ka punuar në të përditshmet “Epoka e re”, “KosovaLive”, “Lajm” etj. I zgjedhur katër herë korrespondent i vitit në Kosovë, përpos shkrimeve për jetën politike, arsimore, kulturore, informative, edukative, ka raportuar nga Gjilani edhe për zhvillimet sportive. Aktualisht udhëheq Agjencinë Rajonale të Lajmeve Rajonipress me seli në Gjilan dhe është mësimdhënës në Universitetin UBT. Jeton e vepron në Gjilan e Prishtinë.