Në Qendrën e Lëvizjes Vetëvenndosje! në Gjilan, është mbajtur konferencë për media, e prezantuar nga kryetari i nënkomitetit për Rini,Kulturë dhe Sport, në kuadër të LVV-së, Ramadan Kurti.
Kurti para gazetarëve ka ndarë shqetësimet e tij si pjesë e komunitetit të artistëve, në lidhje me kushtet e vështira në të cilat gjendet arti në qytetin tonë.
“Do të isha njeriu më i lumtur, sikur të mund të filloja të flisja për të arriturat dhe sukseset, por ja që më duhet ta bëjë të kundërtën, sepse jam i obliguar të flas për mos-sukseset dhe dështimet që janë bërë në fushën e artit, e në vecanti në atë të Teatrit”, ka thënë Kurti.
Kurti më tutje ka folur edhe për gjendjen e mjerueshme të Teatrit të Qytetit, ku ka mbi pesë muaj që aktorët dhe punëtorët nuk marrin paga, ndërsa nuk kanë mbështetje as politike dhe as financiare, pavarësisht që kanë qenë të suksesshëm dhe kanë prezantuar qytetin tonë në festivale të shumta ballkanike.
“Teatri i qytetit tonë, këtë vit ka pasur vetëm një premierë dhe një reprizë. Po të kishte pasur organizim të mirëfilltë dhe strukturë të mirëfilltë udhëheqëse, këtë paraqitje do ta kishim pasur cdo javë. Por, ja që fatkeqësisht kjo po ndodhë si pasojë e neglizhencës dhe mashtrimeve të vazhdueshme që i janë bërë artistëve, vetëm në kohë fushatë. Jo vetëm Teatri, por edhe mungesa e një galerie shkakton telashe të shumta tek artistët e arteve pamore, të cilët nuk kanë hapësirë të shprehin punimet e tyre, pastaj edhe mos-mbështetja e ansambleve dhe mosfunksionimi i Shtëpisë së Rinise, po paralizon ecjen para të kulturës në Gjilan”, ka thënë më tej Kurti.
Krejt në fund, Ramadan Kurti, i ka bërë thirrje institucioneve komunale që mos ti shohin vetëm interesat e tyre partiake e politike, por të punojnë në interes të secilit qytetar të Gjilanit pa dallim, sepse Teatri është i të gjithëve dhe Stëpia e Rinisë është e të gjithëve.