Sport Club ‘Gjilani’ ndodhet në pritje të ankesës të cilën e ka dërguar në Komision të Apelit, derisa ka kërkuar që ndeshja ndaj Dukagjinit të Klinës e vlefshme për xhiron e 12-të të regjistrohet me rezultat zyrtar (0:3), pasi që pretendon se futbollisti Ahmed Januzi është inkuadruar pa të drejtë loje, pasi që nuk ka pasur vendim nga Komisioni i Apelit (Shkallës së Dytë) për t’u inkuadruar në lojë.
Gazeta ‘Sheshi’ ka kontaktuar edhe kryetarin e këtij komisioni, Sitki Baftiun, i cili ka deklaruar se nuk kanë pranuar ankesën e dërguar nga Gjilani dhe se duhet të drejtohemi diku tjetër për ta kërkuar këtë përgjigje.
‘Nuk kam asnjë informacion në lidhje me këtë çështje. Lënda ende nuk ka mbërritur te unë. Nuk e di se çfarë t’u them. Kam një telefonatë tjetër, tung, tung’, ka deklaruar Baftiu.
Gazeta e ka kontaktuar edhe kryetarin e Komisionit të Garave, Abdyl Bellopoja, por as ai nuk pati ndonjë përgjigje.
‘Nuk kam ndonjë përgjigje. Pyeteni më mirë zyrën për informim’, deklaroi Bellopoja.
Edhe zyra për informim pati të njëjtën përgjigje, derisa deklaroi se po merren tashmë me organizimin e ndeshjeve të kombëtareve.
‘Nuk mundemi t’u përgjigjemi tani. Po merremi me organizimin e ndeshjeve të kombëtareve’, ishte përgjigjja e shkurtër e zyrës për informim.
Te Gjilani ndodhen në pritje të një vendimi në lidhje me këtë çështje, pasi po konsiderojnë si veprim të jashtëligjshëm faljen e kartonit të kuq për Ahmed Januzin nga dy në vetëm një ndeshje.
Për më tepër te Gjilani pretendojnë se përveçse janë shkelur të gjitha rregullat, po ashtu mungon vendimi i lëshuar nga Komisioni i Apelit, organ i vetëm për marrjen e vendimeve për të ankimuar një vendim që vjen nga Disiplina, apo nga klubet.
/Gazeta Sheshi/