Trashëgimi

Gjilani qytet pa kinema

Objekti i kinemasë është mbuluar me reklama të kompanive ndërtimore, kurse në bazë të punëve që po bëhen, ai po shndërrohet në objekt afarist – banesor.

Ndërtesa e Kinemasë së Qytetit është mbuluar me reklama të kompanive ndërtimore, kurse prapa këtyre mbulojave po rrënohet objekti i kinemasë. A po shndërrohet kinemaja në objekt afaristo-banesor pyesin qytetarët, të cilët ka më shumë se një dekadë nuk kanë hyrë në këtë objekt ku do të duhej të shfaqeshin filma.

Si shumë objekte të tjera në komunën e Gjilanit, edhe ndërtesa e Kinemasë së Qytetit e ndërtuar në vitet tetëdhjeta mu skaj ndërtesës së Teatrit të Qytetit, është privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), por që prej se u privatizua, asnjëherë në të nuk u dha ndonjë film.

Në vitet tetëdhjeta të shekullit të kaluar,  në këtë objekt ishte e vështirë të gjendej një biletë nga interesimi i madh që mbretëronte për të parë filma, në të nëntëdhjetat shqiptarët u dëbuan prej aty e pas lufte për një kohë objekti i funksionalizua, në të u dhanë filma, bile më pas edhe u investua në të kur objekti u dha me koncesion dhe u paralajmërua se kinemasë do t’i kthej nami i dikurshëm, kurse pas privatizimit, objekti i kinemasë u bë strehë e qenve endacakë dhe ishte degraduar gati tërësisht.

Tashti, në këtë objekt kanë nisur punimet, por në bazë të asaj që shihet nga jashtë, objektit po i ndërrohet destinacioni. Projekti që shihet nga jashtë, nuk le të kuptohet se aty po ndërtohet një kinema, por se më shumë i ngjanë një ndërtesa banimi.

Kujtim Shahiqi, zyrtar për kulturë në Gjilan, thotë se është e dhimbshme që një qytet që ka më shumë se 100 mijë banorë, tash e sa dekada nuk ka një kinema. Shahiqi, thotë se pas luftës kinemaja pas luftës ishte në pronësi të komunës, ajo më pas u dha me qira, nisi të funksionalizojë, në të u investua dhe pas 4-5 muajsh veprimtarie ajo sërish u mbyll për t’u shfrytëzuar nga disa grupe folklorike. Në një nga valëe privatizimit kinemaja u shit dhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme kinemaja nuk u arrit të kthehet në funksion.

Shahiqi thekson se tashti duhet të gjendet ndonjë zgjidhje që qyteti mos të mbetet pa kinema nëpërmjet të ndonjë adaptimi në Shtëpinë e Kulturës, ku është e vendosur edhe biblioteka e qytetit, ndërkohë që në muajin tetor të këtij viti në Gjilan pritet që të hapet Biblioteka e Re e Qytetit, me çka do të kishte më shumë hapësirë për adaptimin e ndonjë objekti për kinema. Edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka dhënë idenë që ato pjesë të hapësirës së shtëpisë së kulturës që do të mund të lirohen do të mund të shfrytëzoheshin për kinema.

Në kohën kur në objektin e Kinemasë së Qytetit vazhdojnë goditjet e çekanëve, ngjitas më të, në Teatrin e Qytetit këtë fundjavë u dha një film, ai “Son Of Saul” që është filmi, i cili fitoi çmimin Oscar  në kategorinë filmi më i mirë i huaj. Filmi është bërë me regji dhe skenar të hungarezit Laszlo Nemes, ku trajtohet një fraksion i ngjarjeve tmerruese në Auschëitz gjatë vitit 1944. Ky film sikur ktheu shpresat e gjilanasve se një ditë ata do të mund të kenë kinemanë e tyre.

 

 

 

You Might Also Like